E Diel, 1 Nëntor 2026

Zihen shoferët, kamioni tërheq zvarrë furgonin me pasagjerë

Katër persona janë plagosur rëndë, në dy aksidente të ndodhura brenda 24 orëve të fundit në Fier dhe në Elbasan. Një aksident i rëndë ka ndodhur në autostradën Lushnjë-Fier, në afërsi të fshatit Rrapëz, Komuna Gorre në Rrethin e Lushnjës. Ngjarja e ndodhur rreth orës 14:00 ka përfunduar me plagosjen rëndë të tre personave, në gjendje kritike për jetën. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të policisë Lushnjë, mësohet se një kamion me targa të Fierit, që drejtohej nga 40-vjeçari Astrit Jarua, është përplasur fillimisht dhe më pas ka hequr zvarrë për disa metra në autostradë një furgon pasagjerësh me targa të Tiranës, që bënte linjën Tiranë-Vlorë. Në brendësi të furgonit kanë qenë tetë pasagjerë. Si pasojë e aksidentit, tre prej tyre kanë marrë plagë të rënda dhe ndodhen aktualisht nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Lushnjës. Shkak i përplasjes ka qenë zënka mes dy drejtuesve të automjeteve: kamionit dhe furgonit. "Ata debatonin nga dritaret e makinave, duke ecur përgjatë autostradës. Debati mes tyre ka pasur motiv kërkesën për parakalim që ka bërë drejtuesi i kamionit. Ky i fundit i është afruar furgonit paralel dhe është sharë e fyer me shoferin e tij. Por, ndërsa kamioni ndenji vetëm pak metra pas, furgoni frenoi menjëherë e për pasojë u godit e u tërhoq zvarrë nga kamioni", thanë dëshmitarët. Ndërkohë që varianti konfirmohet dhe nga ekspertët e policisë së qarkullimit.

Një aksident tjetër me pasoja të rënda ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në rrugën Elbasan-Librazhd, kur një 76-vjeçar që udhëtonte me motoçikletë është aksidentuar dhe drejtuesi i mjetit dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, bëhet e ditur se rreth orës 21:30 në vendin e quajtur "Ura e Lizës", një automjet i paidentifikuar ka aksidentuar 76-vjeçarin Kadri Salla, lindur e banues në fshatin Mengël të Elbasanit, i cili ka qenë duke drejtuar motoçikletën e tij tip "Yamaha", me targa EL052B. Të njëjtat burime sqarojnë se pas përplasjes, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, i dëmtuari u dërgua menjëherë për në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, ku sipas mjekëve ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ma.Tr/ Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›