E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në Kuvend kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Neranxit



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, informoi në fillim të seancës së djeshme parlamentare mbërritjen në Kuvend të kërkesës së prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për heqjen e imunitetit të deputetit të Grupit Parlamentar E Majta për Integrim, Nikollaq Neranxi. Rregullorja e Kuvendit parashikon shqyrtimin e kërkesës nga Këshilli i Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, që më pas harton një raport që ia përcjell parlamentit për votim. Kërkesa e Prokurorisë, e publikuar më 13 mars, erdhi pas dyshimeve të organit qendror të akuzës për kontrabandë mallrash nga ana e deputetit Neranxi. Ky i fundit u padit penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme në janar të vitit 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Si posedues i një subjekti privat të tregtimit të lëndëve ushqimore, Nikollaq Neranxi dyshohet se ka bërë kontrabandë mallrash me vlerë mbi 13 milionë lekë të reja. Pas shqyrtimit të materialit kallëzues, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit leje për të ushtruar ndjekjen penale ndaj deputetit të LSI-së. Pas kësaj ka reaguar në Kuvend deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i cili e cilësoi qesharake këtë kërkesë.

Opozita kundër ndryshimeve në ligjin e legalizimeve: Po shkelet mbi Gjykatën Kushtetuese

Demokratët votuan të vetëm dje në seancë parlamentare ndryshimet në ligjin e legalizimeve. Pavarësisht kundërshtimit të deputetëve opozitarë, maxhoranca me fuqinë e kartonit votoi pro ndryshimeve që synojnë kalimin e kompetencave të pushtetit vendor Agjencisë së Legalizimeve. Deputeti Skënder Gjinushi e cilësoi antikushtetues vendimin. Sipas tij, Kuvendi po shkel mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi këtë nen pak kohë më parë. “Projektligji i paraqitur është një përpjekje kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të mbroheni me argumentet se janë direktiva të KE-së. Mos kujtoni se Shaban Memia është Barroso. Kjo që ju keni sjellë është shkelje e Kushtetutës. Ju po merrni kompetencat e pushtetit vendor dhe po ia kaloni agjencisë së qeverisë”, - është shprehur Gjinushi, ndërsa ka shtuar se ky qëndrim i qeverisë është i kahershëm. Sipas tij, qeveria ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe me ligjin për arsimin e lartë dhe me ligje të tjera. Edhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho, u shpreh kundër ndryshimeve të paraqitura. Ai tha se do të ishte më mirë që të vendoseshin sanksione për pushtetin vendor në ato raste kur shkelen afatet ligjore dhe të mos i merren kompetencat kështu sikurse po veprohet nëpërmjet miratimit të kërtij ligji. “Kjo që ju keni sjellë është njëlloj sikur, në rast se ministri i Brendshëm dështon me kartat e identitetit, këtë kompetencë t’ia kalosh ministrit të Transporteve dhe të merret ky i fundit me procesin”, - është shprehur Braho. Ndërsa ministri Olldashi u shpreh se ndryshimet në ligj nuk synojnë të marrin kompetencat e pushtetit vendor, synojnë vetëm të zhbllokojnë procesin e legalizimeve. Në përfundim, ligji mori 63 vota pro dhe 36 kundër.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›