Gjyqtari Medi Bici mbyll provimin përpara deputetëve
Komisioni i Ligjeve ka nisur ‘provimin’ për 3 kandidaturat e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Seanca dëgjimore ka nisur me Medi Bicin, i cili i është përgjigjur dje pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Pyetjet për makinat e gjykatësve, mendimet në lidhje me ligjin ‘për faljen’, zgjidhjen e vonesave të seancave gjyqësore, lirinë e medias dhe pavarësinë financiare të gjyqësorit kanë qenë çështjet mbi të cilat është marrë mendimi i Medi Bicit në seancën e djeshme dëgjimore. Për rreth dy orë, deputetët e PD-së dhe PS-së kanë bombarduar me pyetje kandidatin për Gjykatën e Lartë. "A ju vjen keq që unë e denoncoj këtë proces, si një proces të montuar politikisht, i cili do të përfundojë me votim të hapur në seancë plenare, duke iu përgjigjur kamxhikut politik që ka ndërtuar mazhoranca. A ju vjen keq që unë mendoj se pyetjet të cilat ju i jeni përgjigjur janë skandaloze", iu drejtua kandidatit Bici, Sajmir Tahiri.
"Nuk e lë zotin Bici, sepse ju po shpërdoroni detyrën e kryetarit dhe s'keni asnjë të drejtë të thoni për kolegun tuaj ju vjen keq apo jo", u shpreh Bashkim Fino. Si përgjigje, Medi Bici ka thënë se “unë kam qenë dhe një herë kandidat për anëtar i Gjykatës së Lartë para dy vjetësh dhe megjithëse kisha një veprimtari 17 vjet në gjyqësor, kam kaluar në votim anonim. Dhe për mua më bëhet mirë që të vij të deklaroj të paktën që këto rezultate kanë dhjetë vjet që nuk deklarohen”. Kandidati i Presidentit për në Gjykatën e Lartë, nuk ka fshehur mendimin për dy standarde që ky institucion përdor për çështje të ndryshme. Po ashtu ai i ka bërë të qartë deputetëve se nuk ka mbështetje politike dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit, si një pjesë e gjykatësve të tjerë. “Nuk kam asnjë lloj mbështetje politike, nuk kam qenë asnjëherë, as para 1990 dhe as pas 1990 anëtar i ndonjë partie politike, organizate politike. Para 1990 kam vuajtur nga këto vendime, kështu që mendimi im është që në këtë stad që jemi, dhe kërkojmë të hyjmë në Europë, nuk duhet të ketë gjyqtarë të tillë në sistemin e drejtësisë”, tha Bici. Pas seancës dëgjimore me kandidatin Medi Bici, radha në komision do jetë për dy kandidaturat e tjera, Sokol çomo ditën e hënë dhe Vexhi Muçmata nga java tjetër. Mazhoranca dhe opozita pritet të jenë të ndara në seancën parlamentare ku do të votohen dekretet e Presidentit Topi me votim të hapur dhe në këtë mënyrë votimi i hapur mund të shmangë rrjedhjen e votave të mazhorancës, në rast se kandidaturat e paraqitura nga ana e kreut të shtetit janë të papranueshme për PD-në.
#