INSTAT: Emigrantët nuk do të regjistrohen në Shqipëri
Regjistrimi i popullsisë dhe i banesave që do të nisë në Shqipëri në prill të vitit 2011, është një proces që zhvillohet në plan global. Ai mban në konsideratë metodologjinë e hartuar sipas standardeve ndërkombëtare, të cilat janë adoptuar edhe nga Instituti i Statistikave. I përcjellë me shqetësim nga opinioni, duket se procesi në fjalë pritet të sjellë një bazë të tillë të dhënash për popullsinë që banon në Shqipëri, e cila tejkalon shumë ankthin e krijuar nga pyetësori në pikat e vetëdeklarimit të etnisë dhe të besimit fetar. “Regjistrimi është një proces që do të zhvillohet në mbarë botën vitin që vjen. Duhet të them se është një proces shumë i rëndësishëm, me një diapazon shumë të gjerë. Unë e kuptoj se interesi dhe shqetësimi i shprehur lidhet kryesisht me pyetjet për etnicitetin dhe besimin fetar, por në këtë pikë duhet të sqaroj metodën që ndiqet. Pikë së pari, asnjë e dhënë personale nuk do të bëhet publike, pra deklarimet e personave që regjistrohen, nuk bëhen publike. Si i tillë, procesi është për efekt statistikor dhe ka vlerë për vlerësimin e prirjeve të popullsisë në shumë drejtime. Nga ana tjetër, në regjistrim do të përfshihen vetëm ata persona që kanë qenë prezentë në Shqipëri 12 muajt e fundit dhe kjo gjë verifikohet nga logjika e pyetjeve që ndërtohen. Dhe së treti, pyetësori parashikon edhe mospërgjigjen”, deklaroi për gazetën “Shqip” drejtoresha e Institutit të Statistikave, Ines Nurja. Ajo ka shtuar se lidhur me emigrantët shqiptarë, apo shtetasit të cilët kanë më shumë se 12 muaj që janë jashtë Shqipërisë, do të ndiqet procedimi në shtetet përkatëse me po të njëjtat mënyra që do të aplikohen në Shqipëri. Madje për këtë qëllim vendi ynë ka një marrëveshje bashkëpunimi me Greqinë, e cila konsiston në shkëmbimin e të dhënave që do të merren, duke sanksionuar kështu një njohje reciproke të rezultatit që do të dalë. Një element me shumë rëndësi në këtë kuadër është dhënë edhe nga menaxherja e Regjistrimit të Popullsisë, Elda Kapllani, e cila ka nënvizuar rëndësinë e dallimit mes Kombësisë dhe Përkatësisë Etnike, apo më saktë Ndjesisë Etnike(ethnic affilation). “Vetëdeklarimi ka një element të rëndësishëm pse jep një të dhënë reale për grupet etnike dhe etnokulturore, ashtu si ato ndihen dhe kanë prirjen që të afilohen. Dokumentacioni i gjendjes civile pasqyron kombësinë, e cila është diçka e ndryshme nga kjo që kërkon të regjistrojë INSTAT”, tha Kapllani. Duke iu referuar praktikës së ndjekur, metodës dhe klimës që rrethon këtë proces, ajo ka bërë një përgjithësim që flet shumë për sa u përket shqetësimeve të ngritura. “Në momentin që nuk kemi influenca të çfarëdo lloji që kanë lidhje me interesa të caktuara, procesi nuk do të cenohet dhe ne do të kemi një pasqyrë të vërtetë të Shqipërisë”, tha Kapllani. Procesi që do të nisë në prill, do të paraprihet nga një fushatë shumë e gjerë publicitare, që do të ketë qëllime edukative dhe që i përmbahet rekomandimeve të Eurostat. Për përkatësinë etnike, këto të fundit sugjerojnë vetëdeklarimin për shkak se ajo “ka detyrimisht një dimension subjektiv”.
#