E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjysma e Dibrës e izoluar

06/02/2005  Të sëmurët, transportohen me helikopterë

DIBËR - Reshjet e dëborës kanë vazhduar edhe gjatë këtyre ditëve në rrethin e Dibrës. Ndërkohë që prefektura e Dibrës ka ngritur shtabet e emergjencës, duke bashkërenduar punën me të gjithë Bashkitë e komunat, për të qenë sa më afër komunitetit dhe njëkohësishtë të njerëzve në nevojë.

Prefekti i Dibrës, Petrit Gjoni, ka oragnizuar takime me të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor dhe kryepleqësit, për të qenë më afër popullatës.

Lidhur me akset rrugore, që janë të kalueshme në prefekturën e Dibrës, kreu i kësaj prefekture ka sqaruar se në rrethin e Dibrës janë të kalueshme akset rrugore Peshkopi–Skuraj, Maqellarë–Dogana Bllatë. Ndërkohë që në akse të tjera po punojnë mjete të ushtrisë dhe të firmave private për të hapur rrugën. Ndërsa në lidhje me akset e bllokuara, prefekti gjonaj ka sqaruar se aktualisht janë të bllokuara në rrethin e Dibrës, akset rrugore Peshkopi–Qafë Draj që lidhë Peshkopinë me Kukësin. Në aksin rrugor Ura e Çerencit–Stebleve po punohet me mjete të marra me qira dhe të ushtrisë, për hapjen e saj deri në Ostren. Në rrethin e Bulqizës janë të bllokuar akset rrugore Ura e Qytetit-Zerqan, ky aks rrugorë ka qenë i hapur, por erërat e forta e kanë bllokuar atë gjatë katër ditëve të fundit. Po kështu Ura e Serbinit–Strushaj – Qafë Mollë është e hapur deri në km 8. Fushë–Bulqizë – Ternovë 21 km, është i bllokuar dhe aktualisht po punohet akoma për hapjen e tij.

I pyetur rreth probleme shëndetësore që kanë patur banorë të prefekturës që ai drejton, Petrit Gjoni ka thënë dje për gazetën “Metropol” se që të gjitha rastet emergjente për ndërhyrje mjekësore janë zgjidhur mjaft mirë, pasi të sëmurët janë transportuar me helikopter në spitalet e Tiranës. Rastet më urgjente, ka thënë dje Gjoni, kanë qenë një lindje e vështirë në fshatin Trenovë e Madhe. Një i sëmurë rëndë nga fshati Kojavec, komuna Ostren. Një i sëmurë në fshatin Grykë Nokë, të komunës Arras. Një e sëmurë në fshatin Kete, të komunës Xibër. Po kështu janë transportuar në linjë ajrore në komunën Zall–Dardhë, dy persona të vdekur nga orteku, nga vendngjarja, për në fshatin e tij njëri në komunë e Zall-Dardhës dhe tjetri në Fushë Krujë. Ndërsa një i vdekur në Tiranë është transportuar deri në Dibër me helikopter e më pas nga Dibra deri në komunën Sllovë, tansporti u bë me autmjete. Ndërsa me rrugë tokësore janë dërguar në spitalet e Bulqizës, Peshkopisë dhe Burrelit 15 të sëmurë nga zonat e ndryshme të rrethit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›