E Hënë, 2 Nëntor 2026

Karnavalet, shigjeta varfërisë e errësirës,por edhe korrupsionit e padrejtësisë

06/02/2005  Traditë/ Rikthehet festa e vjetër mëse 160-vjeçare

SHKODËR – Atmosferë e festë ka qenë pamja që mbizotëronte dje në rrugët e Shkodrës, ku janë zhvilluar karnavalet e emërtuara, “Karnavale 2005”. Këto karnavale janë në vazhdën e rikthimit të traditës së vjetër edhe në vitet pas demokracisë.

Ka disa disa vite që shoqata kulturore “Ilirikum”, nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, organizon karnavalet e këtij qyteti. Gjatë paradites, kjo shoqatë e ndihmuar dhe nga shkollat “Jordan Misja” e “Branko Kadia” u mundua të sillte diçka të bukur e kritike.

Makina, e quajtur karnaval, ka shëtitur gjithë qytetin e shoqëruar nga banorët e Shkodrës, banda muzikore dhe pankartat me kritika ndaj anëve të errëta të shoqërisë dhe institucioneve drejtuese të vendit. Më pas makina karnavale është ndalur në qendër të qytetit pranë hotel “Rozafës”, nga ku kanë filluar batutat dhe humori therës ndaj anëve negative që hasen çdo ditë në jetën e qytetarëve shkodranë. U goditën me radhë mjekësia, drejtësia, KESH, shteti për mosshtrimin e rrugëve, trotuareve e moszhdukjen e varfërisë së theksuar që ka pllakosur në qytetin e Shkodrës.

Drejtuesi i shoqatës “Ilirikum”, Gjovalin Stefa, tha dje për gazetën “Metropol” se, “kemi 7 vjet që po mundohemi të sjellim diçka të bukur butaforike, ku një ndihmesë të veçantë përveç Bashkisë Shkodër dhe firmave të ndryshme na kanë dhënë dhe punishtja e maskave “Arlekin” si dhe shoqata kombëtare e karnavaleve”.

Në fund të kësaj shfaqjeje butaforike është djegur dhe dordoleci si simbol i djegies së të këqijave, që kishte pasur Shkodra gjatë vitit të kaluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›