Italia konsideron rikthimin e Tottit e Del Pieros

Selektori i Italisë, Cesare Prandelli ka thënë se po e konsideron mundësinë që t’i kthejë në përfaqësuese dyshen e njohur, Francesco Totti e Alessandro Del Piero. Dyshja veterane mund të rikthehet tek ‘Azurri’, por ata duhet të punojnë fort, që ta bëjnë një gjë të tillë, në një skuadër e cila është e fokusuar te lojtarët e rinj.
Ish-trajneri i Fiorentinës ua ka premtuar rastin ikonës së Juventusit dhe legjendës së Romës, nëse e mbajnë formën e mirë në klubet përkatëse. Të dy futbollistët e kaluan një sezon të mirë në nivelin personal, edhe pse Juventusi e Roma dështuan të kualifikoheshin në Ligën e Kampionëve.
Del Piero luajti mirë dhe e meritoi vazhdimin e kontratës për një vit me klubin nga Torino, derisa Totti e kaloi Roberto Baggion në listën e golashënuesve më të mirë në histori të futbollit italian, duke realizuar 205 gola dhe duke u ngritur në pozitën e pestë.
“Nëse nga shkurti i vitit të ardhshëm, Totti e Del Piero e shfaqin lojën e një muaji më parë, natyrisht se do t’i kem në konsideratë ata”, deklaroi selektori Prandelli.
Totti e kishte zyrtarizuar përshëndetjen nga Kombëtarja, pas Botërorit 2006, kurse Del Piero nuk ishte dorëzuar deri në Euro 2008. Gjatë periudhës kur do të mbahet Euro 2012, Totti do t’i ketë 35 vjet, kurse Del Piero 37.