E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikonte në këmbë 8 klandestinë, arrestohet për herë të dytë

SARANDE - Arrestohet trafikanti 27-vjeçar i klandestinëve. 

Forcat e policisë së Sarandës prangosën Elton Xhurinë, lindur në Belsh të Elbasanit dhe banor prej disa vitesh i lagjes nr.4 të Sarandës, i dënuar më parë për veprën penale, "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit". Kanë qenë informacionet e agjentëve të policisë, të cilit edhe kanë shtuar patrullimet në zonat kufitare por edhe në rrugët kyçe, si ura e Kranesë apo ajo e Çukës, ato që kanë çuar në zbulimin e 9 personave që lëviznin bashkërisht në këmbë drejt kufirit. Ata janë pikasur në vendin e quajtur, "ish-Stacioni", në fshatin Çukë, 4 km larg Sarandës dhe u shoqëruan në komisariatin e policisë, ku zbuluan se të gjithë shtetasit kishin si qëllim arritjen e brezit të gjelbër kufitar, ndërkohë që njëri prej tyre ishte trafikanti. Kanë qenë 8 klandestinët, mes tyre edhe 2 fëmijë të mitur të një gruaje nga Gjirokastra, që të tre së bashku do të niseshin drejt Greqisë, ata që treguan para policisë linjën e trafikut. Ata ishin nisur nga Saranda dhe kishin përshkuar 5 km me këmbë deri në fshatin Çukë, ku u kapën nga policia. Nëse nuk do të kapeshin, do të vazhdonin rrugën drejt kufirit, ku më pas, me ndihmën e Elton Xhuriajt, disa do të shkonin në Greqi e disa të tjerë në Itali. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›