E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjysma e tokës në zonat industriale blihet me bono

16/06/2011  Përcaktohet udhëzimi për çmimin e trojeve shtetërore ku ka ndërmarrje ekonomike

Përcaktohet çmimi i shitjes së trojeve, të cilat janë në pronësi të shtetit dhe mbi to janë ndërtuar ndërmarrje ekonomiko-industriale. Me një udhëzim të përbashkët ministri i Financave, Ridvan Bode, ai i Ekonomisë, Nasip Naço dhe drejtori i AKKP-së, Elvis Çefa, kanë përcaktuar se si do të bëhet shitja e këtyre tokave. “Shitja e trojeve, pronë shtetërore, në zonat industriale, ku ushtrohen veprimtari ekonomiko-industriale, në objektet e ndërtuara mbi to, do të bëhet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 428, datë 9.6.2010 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe për procedurën e shitjes” dhe legjislacionit në fuqi. Në rast privatizimi, pagesa e trojeve, pronë shtetërore, në zonat industriale, ku ushtrohet veprimtari ekonomiko-industriale, në objektet e ndërtuara mbi to, do të bëhet 50% me lekë dhe 50% me lekë privatizimi, letra me vlerë apo bono privatizimi”, - thekson udhëzimi. Objektet, të cilat do t’i nënshtrohen procesit të privatizimit, Komisioni i Vlerësimit apo/dhe dega e shoqërisë publike, i kërkon institucionit të prefektit në territorin e të cilit ndodhet objekti, konfirmimin e genplanit për objektin. Zyrat urbanistike të organeve të qeverisjes vendore (bashki/komuna) i konfirmojnë degës së shoqërive publike, nëse trualli që do të shitet, shtrihet në zonën industriale të miratuar me vendim të KRRT-së ose KRRTRSH-së. Në rast se trualli që do të privatizohet, ndodhet në zonën industriale të konfirmuar, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike në Ministrinë e Financave autorizon kryerjen e pagesës së këtyre trojeve, referuar konfirmimit të AKKP-së për çmimin e truallit për metër katror sipas hartës së vlerës së miratuar në bazë të zonës ku shtrihet objekti, deri në momentin që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave vlera e truallit industrial.

Ankand për 370 milionë lekë bono

Ministria e Financave nxjerr në shitje me ankand Bono Privatizimi të shoqërisë “Cenaj & Co” sh.p.k në administrim, me vlerë nominale 370 955 000 lekë. Ato janë gjendje në këtë shoqëri, me prerje të ndryshme. Ankandi do të zhvillohet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike në Ministrinë e Financave. Ankandi do të bëhet më 7 korrik 2011. Pjesëmarrësit në ankand duhet të paraqesin dokumentacionin e duhur pranë komisionit të ankandit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›