E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbaj përgjegjësi institucionale dhe personale për humbjen e Himarës

16/06/2011  Bollano bën “autokritikë” në mbledhjen e OMONIA-s

SARANDË – Vasil Bollano, kryetari i organizatës OMONIA, ka pranuar dje përgjegjësinë institucionale dhe personale për rikandidimin e pasuksesshëm të krye të bashkisë së Himarës. "Humbja e Himarës është një nga humbjet e ndjeshme të PBDNJ-së dhe unë ndiej edhe përgjegjësi personale për këtë përveç asaj institucionale, pasi isha kandidati humbës në garën elektorale të 8 majit", - deklaroi në mbrëmje Bollano gjatë mbledhjes së kryesisë së organizatës OMONIA. “Për tri mandate radhazi mora dhe meritova votëbesimin e zgjedhësve në bashki dhe solla ndryshime që as nuk mund të mendoheshin”, - shton ai. Ndërkaq në mbledhjen e organizatës OMONIA e në prani të deputetit dhe kryetarit të PBDNJ-së Vangjel Dule, kryesia bëri analizën e fushatës së zgjedhjeve, si dhe u diskutua për gjendjen paszgjedhore. Sipas Bollanos, kjo mbledhje përgatit terrenin për një analizë të përgjithshme paszgjedhore në këshillin e përgjithshëm, që mendohet se do të zhvillohen të muaj korrik. Në takim veç anëtarëve të kryesisë ishin të pranishëm edhe kandidatët që rezultuan fitues me siglën e PBDNJ-së në mjaft prej komunave të banuara nga popullsi minoritare. Gjerësisht u diskutua për situatën e krijuar në komunën e Finiqit, ku do të rivotohet për shkak të shkeljeve të konstatuara gjatë procesit zgjedhor me vendim të Kolegjit Zgjedhor. “Rezultatet e 8 majit ishin pozitive, përjashtuar komunën Finiq, ku Kolegji Zgjedhor ka vendosur përsëritjen e zgjedhjeve dhe PBDNJ-ja është plot shpresë për marrjen edhe të kësaj komune përballë kandidatit të Megas, Ziso Lluci”, - përfundoi Bollano. T. Skuqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›