Jashtë qarkullimit kartëmonedha 100 dhe 200-lekëshe
05/01/2009 Prej 5 ditësh tashmë kartëmonedhat 100 dhe 200-lekëshe kanë dalë nga qarkullimi. Sipas Bankës së Shqipërisë, këto kartëmonedha nuk shërbejnë më si mjet pagese. Të gjithë qytetarët që mund të kenë ende kartëmonedha të tilla duhet t’i këmbejë në sportelet e çdo banke të nivelit të dytë. Kartëmonedha 100-lekëshe ka në pjesën e përparme imazhin e luftëtarit kombëtar dhe në pjesën e pasme një peizazh malor, në qendër të të cilit është një shqiponjë. Nga qarkullimi ka dalë edhe kartëmonedha 100-lekëshe që në pjesën e përparme ka imazhin e Fan Nolit dhe në pjesën e pasme disa pamje nga ndërtesa e Parlamentit të parë shqiptar, stema e federatës shqiptare “Vatra”. Kartëmonedha 200-lekëshe ka të vendosur në pjesën para imazhin e Ismail Qemalit dhe në pjesën e prapme ka një shqiponjë, në mes të së cilës duket një pjesë e ndërtesës ku u shpall pavarësia e Shqipërisë. Sipas Bankës Qendrore, që prej datës 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 këto kartëmonedha mund të këmbehen pa pagesë me vlerën që kanë pranë çdo bankë.