E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejfenët dhe googles people

Nga Shpëtim LAME
Në  pamje të parë, koha e lejfenëve mund të quhet e tejkaluar, por tani po vjen ose më saktë të mbështjellur bukur po sjellin një tjetër kohë, atë të googels people. Ndërduarshmëria e tyre është një proces jo krejt i thjeshtë, sepse janë të larguara në kohë.  Ndryshojnë vetëm në formë, por  fare pak ose aspak në përmbajtje. Në sistemin e kaluar, sidomos në dy dhjetëvjeçarët e fundit të tij, me synim të paracaktuar të mirëmenduar, rregullisht u punua dhe në një masë të konsiderueshme përfundimisht u arrit, që bashkësia me mendësi lejfeniste, të merrte trajtën dhe vendin në përputhje me këtë synim. Kjo bashkësi përbëhej kryesisht nga një pjesë e përzgjedhur e brezit të ri të asaj ndërkohe. Në një rrafsh më sipërfaqësor, më lehtë të rrokshëm, na paraqitej me edukim aq të pastër, për gjithçka e përkushtuar, sa që mund të shqetësohej edhe për një bulon të ndryshkur, të hedhur pa dashje diku në një rrugë, prandaj duhej ta merrte dhe ta dorëzonte në ofiçinë. Nuk mund të themi se këtë e bënin të gjithë, por edhe nëse e bënin, është e vështirë të dallojmë se çtë mirë tjetër ata ishin të aftë dhe të prirur, që ti sillnin shoqërisë. Ata praktikisht, përveç shumë dëmeve të njohura, përgatitën dhe lehtësuan rrugën që, sot pjesërisht dhe nesër plotësisht, pasardhësja më burimore e saj, bashkësia e googles people, më dukshëm se asnjëherë më parë, të marrë çdo ofiçinë dhe ta dërgojë në shtëpinë e vet.
Pamjen më të plotë, lejfenizmi filloi ta marrë pas viteve 70. Njëra nga arsyet, por njëkohësisht dhe si shtysë e fuqishme, lidhet me faktorin moshë. Shumicës së përfaqësuesve të ish emërtesës komuniste, në lartësi dhe rrafshe të ndryshme të saj, po u kufizohej koha fizike për të qenë veprues, sepse po i afrohej moshës së pensionit, të pleqërisë. Për rrjedhojë ata me shqetësim mendonin për vazhdimësinë, për trashëgiminë, thënë ndryshe për të dorëzuar garën në duar krejt të sigurta. Kuptohet se, ashtu si për gjithçka, printe rregulli i shpallur i besueshmërisë së lartë politike, që përshtatshmërinë e pashqyrtueshme, si rregull e gjente kryesisht te klanet dhe fiset, të bllokut dhe të rrethojës së tij, në qendër dhe në rrethe. Me kalimin e viteve, në xhunglën e mbijetesës, të nxirjes dhe të marrjes së jetës, nëpërmjet pabesive, pritave, dramave, krimeve, me anë të krushqive dhe të çdo lidhjeje tjetër, çdo klan dhe fis, madje sosh prej tyre si pjesë të disa krahinave, në këtë rrafsh shkoi pothuajse drejt njëjtësimit. Në gjeografinë e politikës, kjo u shoqërua me një mungesë të ndjeshme të baraspeshës, pra me shpërpjesëtim përfaqësimi, jo aq në kuptim numerik, me mos miratim në heshtje për copëtimin dhe zhvatjen e pushtetit, ndërmjet klaneve dhe fiseve. Pikërisht këto baraspesha dhe jo gjë tjetër, rreken të vendosen gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve. Për këtë kryesisht përdoren partitë, të vetëquajtura të majta, të djathta dhe të qendrës, të vjetra dhe të reja, që thellë në pikësynimet në përmbajtjen e tyre, janë në mbrojtje vetëm  të dobive të klaneve dhe fiseve.
Për vazhdimësinë punohej jo vetëm në të gjitha strukturat dhe organizimet e ndryshme të partisë shtet, por gjithashtu edhe në të gjitha ato që emërtoheshin si ndihmëse, mbështetëse, fidanishte të saj. Kjo pasqyrohej edhe në të gjithë pushtetet, deri pranë majës së tyre; të legjislativit, të ekzekutivit, të gjyqësorit, si dhe në atë medias. Sa i përket gjyqësorit, shinat e vazhdimësisë, ishin shtruar që në krye të herës. Dihet se në letër, shkollimi në degët përkatëse askujt nuk i mohohej, por në praktikë ndodhte krejt e kundërta. E kam fjalën vetëm për atë pjesë, që nuk pengohej politikisht  për të vazhduar universitetin. Besoj se çdokush ka njohuritë e tij për këtë ndërkohë dhe për këtë problem, por për të qenë sa më konkret dhe i saktë, mendoj se mund  dhe duhet të mjaftojë përfundimi i një studimi, që u realizua në mesin e viteve 80-të, në fakultetin e shkencave politike juridike, pra pikërisht aty ku përgatiteshin juristët (gjyqtarët, prokurorët, hetuesit) dhe filozofët, gazetarët dhe specialistët e politikave ekonomike. Sipas këtij studimi, rreth 90% e studentëve në këtë fakultet, vinin nga familjet e emërtesës së lartë në rrethe dhe në qendër ose që kishin lidhje shumë të afërta me ato.
Të gjitha lëvizjet, me në krye revolucionin kulturor në vitet 67-68, krahas shumë arritjeve, përgatitën produktin cilësor, të parashikimit dhe të përcaktimit të drejtuesve, të fitimtarëve të rinj të betejave, që nuk do të kishin të sosur. Megjithatë, për këto fitimtarë, pra për bashkësinë e lejfenëve, proceset demokratike dhe ndryshimi i sistemit erdhën më me fat se për të tjerët, ndoshta të paimagjinuar as nga vetë ata, sepse në analizën dhe në vlerësimin e ngutshëm, të cekët, ashtu siç në fakt u bë, me dashje ose pa dashje, nga dija apo nga pa dija, ata nuk rezultuan bashkëfajtorë, as drejtpërdrejtë as tërthorazi. Nga njëra anë është lehtësisht e kuptueshme, se nuk ishte bashkëvuajtëse, për faktin e pa kundërshtueshëm se brenda kufizimeve të sistemit, asaj jo vetëm që nuk i ishte ngrënë haku, por përkundrazi kishte marrë më të madhen e mundshme, të jetësuar në shkollimin e përzgjedhur, në punësimin më të mirë familjar, në trajtimin e përshpejtuar për sigurimin e banimit etj. Nga ana tjetër duhet të jesh pak mëndje lehtë, për të besuar dhe pranuar se nuk është bashkëfajtore, thjesht bazuar në argumentin se objektivisht nuk i mjaftuan vitet për të dëshmuar, për të dhëna provat e plota dhe bindëse, që të jetësonte atë për çfarë etërit e tyre dhe vetë ata, ëndërronin, krenoheshin dhe krekoseshin. Mbase kjo mëndje lehtësi, e ndihmoi këtë bashkësi, që të mos humbë asnjë sekondë, për të formuluar dhe paraqitur alibinë përkatëse. Një pjesë e saj, turravrap u rreshtua  në lëvizjen antikomuniste, duke e shoqëruar këtë me kritika të ashpra gojore dhe të shkruara, ndaj sistemit që e ngritën etërit e tyre biologjikë dhe shpirtërorë. Jo rrallë, këto kritika, kuptohet duke zbatuar pikë për pikë skenarin, të hutonin, të linin pa mend, sepse ia kalonin edhe kritikave të atyre që megjithëse sapo kishin dalë nga ferri i Burrelit, Spaçit, Batrës etj, kockë e lëkurë, me një trastë me zhele mbi krahë, përsëri të tillë po mbeteshin dhe mbetën, madje me vështirësi po ngopen me frymën e lirisë. Pjesa tjetër zgjodhi pozicionin e intelektualëve të zhgënjyer, të pa angazhuar, indiferentë, të teknicienëve dhe të specialistëve skrupulozë. Si dy pjesë të një të tëre, fshihen dhe fshehin, mbajnë dhe mbrojnë fort njëra tjetrën. Ndërkaq për bëmat dhe gjëmat e sistemit komunist, haraçin e paguan, madje edhe sot vijojnë ta paguajnë të tjerët, jo gjoja opozitarët, por opozitarët e vërtetë, pavarësisht nga e shkuara e tyre jo komuniste, gjithashtu dhe një pjesë e familjeve të ish anëtarëve të PPSH-së, që para vitit 1990-të kishin patur shumë çka në dorë; teserën e kuqe, punën e thjeshtë në fabrikë apo në arë dhe çelësat e kashtës.
Po mbushen dy dekada plurapartizëm dhe jemi shumë pranë një çasti aq të rëndësishëm sa edhe jetik,  mund ta quajmë çast kapërcyell, pothuajse të njëjtë me atë të fundvitit 1990-të. Lejfenët tani kanë arritur në pjesën e skenarit, të të qënit pak veprues, por me orekse në rritje për të marrë, për të grabitur gjithçka dhe kudo. Jo veprues në politikë, sepse drejtpërdrejtë janë të përfshirë pak, por fuqimisht në prapaskenën e errët të saj, aty ku thuren intrigat dhe ku deri në asht ngulen thikat, ku enden pëlhurat e merimangave, më helmuese se të vejushës së zezë, që me kurthin e rrjetit mbushamëndës dhe marramendës, po e arrin synimin e saj, që të kthejë në kërkesë të kohës, pra në nevojë dhe domosdoshmëri, jerontokracinë, nëpërmjet futjes në fushën e lojës së politikës, në të gjithë rrafshet e saj, të kombëtares së re, me lojtarë dhe titullarë pasardhësit e tyre, që vijnë kryesisht nga bashkësia e googles people, që pa kaluar në asnjë prej ekipeve zinxhir e shohin veten të grumbulluar në këtë kombëtare, duke shmangur dhe duke përqeshur çdo rregull dhe vegël të garës, të matjes së vlerave, të pjesëmarrjes dhe ndihmesës së vijueshme dobiprurëse.  
Besoj se nuk ka mëdyshje për të kuptuar se nga dhe se si vijnë googls

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›