Glamur në Hajvali
Gjithçka ishte planifikuar deri në detajet më të vogla: nga skena, ndriçimi, karriget, pjatat e thikat, njerëzit që do t’i prisnin mysafirët, e ata që do t’i përcillnin.
Është përvjetor i rëndësishëm për Behgjet Pacollin.
Po feston ditëlindjen e 60’të, e cila kësaj radhe rastisi të ishte pikërisht në Ditën e Fitër Bajramit.
Gjatë ditës ishin bërë edhe tri prova gjenerale për të parë se gjithçka ishte në rregull, ashtu siç e kishte paraparë Behgjet Pacolli, i cili në ceremoninë e ditëlindjes së tij kishte ftuar mbi 1.000 mysafirë.
Por, gjithçka u rrënua pikërisht në momentin e fillimit te ceremonisë, në orën 19:30.
Një shi i dendur, për dhjetë minuta, e çakordoi komplet mbrëmjen.
Behgjet Pacolli, i cili po priste mysafirët, vazhdimisht u thoshte atyre: “U prish gjithçka. Duhej të ishte ndryshe”.
Por gjërat morën të mbarën shumë shpejt.
Shiu u ndal e mysafirët dolën në oborrin e shtëpisë së Behgjet Pacollit, që ndodhet në fshatin Hajvali të Prishtinës.
Për disponimin e mysafirëve përkujdesej Grupi Corona, Eli Fara, ansambli i valleve “Shota” dhe shumë këngëtarë të tjerë.
Ceremonia është drejtuar nga Sonila Meço, gazetare e ABC News.
Në mesin e mysafirëve ishte edhe gruaja që ia zuri vendin, Atifete Jahjaga, pastaj presidenti shqiptar, Bamir Topi, Kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i LDK’së dhe Prishtinës, Isa Mustafa, Rifat Jashari, kryetari i PS’së, Edi Rama me bashkëshorten Linda, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava si edhe biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi.
Dhe, komplet Parlamenti, përveç Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt - të cilët tash e disa muaj nuk janë më “në listën e miqve” të Behgjet Pacollit.
Ceremonia është përmbyllur më fishekzjarrë, të cilët kanë dhënë një spektakël të vërtetë, derisa pas fishekzjarrëve, vendin e ka zënë një fluturake e vogël - dhuratë nga bashkëshortja e Pacollit- e cila fluturonte mbi mysafirët me një flamur të madh ku shkruante: “Urime Ditëlindjen”.