E Shtunë, 31 Tetor 2026

Globalizimi, paraja dhe idetë



Jemi në epokën e globalizimit, ndodhemi në fshatin global, ku kriteret, parimet dhe idetë marrin një vlerë tjetër, duke u mbivendosur nga konceptet para dhe treg, të cilat po mitizohen gjithnjë e më shumë.

Globalizimi, fuzioni i tregjeve duke themeluar një treg të vetëm, pra një fshat global të konsumit, përveç mbështetësve dhe “lojtarëve” të zellshëm ka dhe skeptikët e tij. Çdo takim i radhës i G8-ës pritet me protesta të ashpra dhe shoqërohet me artikuj dhe qëndrime skeptike ndaj hapave të ndërmarra nga vendet më të industrializuara të botës, që përcaktojnë rregullat themelore të bashkëjetesës në tregun global. Një nga kritikat më të ashpra që shoqëroi takimin e radhës të samitit ishte mos ndërmarrja e hapave konkretë në lidhje me shqetësimin më të madh jo vetëm të ekologjistëve: ndotjes në nivele të larta të atmosferës.

Por ekonomistët, gazetarët dhe skeptikët e globalizimit shqetësohen dhe për disa dukuri të tjera, që edhe pse nuk janë shumë të dukshme, po ndryshojnë raportin e disa koncepteve themelore, siç janë paraja dhe idetë, duke rrënjosur një kulturë absolute: kulturën e konsumit masiv.

Gjatë procesit të globalizimit, gjithnjë e më shumë idetë po humbin terren përpara ndikimit dominues të parasë, e cila po konceptohet si Perëndi, fuqia e të cilit ndihet kudo. Paraja po mitizohet dhe çdo veprim e synim njerëzor vihet në kontekstin e fitimit. Problemi nuk është satanizimi i parasë, ashtu sikurse kanë bërë deri tani mjaft ideologji antikapitaliste dhe shumë të tjerë utopiste infantile, por e kundërta e saj: çmitizimi i shenjtërisë së saj, kritikimi i kalimit nga sfera e mjeteve tek ajo e qëllimit. Në aspektin e mjeteve, paraja është një dobibërës, i pazëvendësueshëm në raportet njerëzore, një parametër efiçent për të matur diferencat dhe lejimin e këmbimit. E keqja buron me autonominë për të thithur të gjitha burimet e botës dhe për t’u bërë i vetmi qëllim në jetë.

Kush beson se njerëzimi shprehet sidomos nëpërmjet ushtrimit të ndjenjave dhe mendimeve, e konsideron fuqinë e parasë si një varfërim të jetës personale dhe komunitare. Kush ngul këmbë ta konsiderojë paranë si një mjet dhe jo si një qëllim, nuk do të mund kurrë të pranojë asnjë formë të plutokracisë ose një dominim të saj.

Por përveç dirigjimit të fuqisë politike, ajo që shqetëson më shumë ekonomistët dhe teoricienët dhe që gjen mënyrat më të thjeshta për t’u përhapur në glob, është fuqia kulturore e parasë, ose me saktë hegjemonia e parasë mbi çdo kulturë tjetër, mbi çdo vlerë tjetër, mbi çdo paradigmë dhe ndjenjë.

Rritja e tregut si një kusht ekzistence për shoqërinë prodhon një shoqëri pa kulturë. Kjo s’do të thotë thjesht një shoqëri që lexon pak, që studion pak, që i jep pak vlera intelektit, por diçka më e madhe se arsyet e forcat vitale të shoqërisë. Nëse paratë bëhen qëllim në vetvete, nuk mbetet shumë vend për vlerësimin dhe ndjekjen e ideve, pa të cilat një shoqëri nuk mund të kultivojë kulturën karakteristike të saj. Sipas filozofit liberal, Jose’ Ortega Gasset: Kultura është sistemi jetësor i ideve që çdo epokë mbart, pasi njeriu jeton gjithmonë duke u nisur nga disa ide fikse mbi të cilat ndërtohet baza ku mbështetet ekzistenca e tij.

Idetë për Ortegën janë repertori i bindjeve efektive mbi botën, mbi pasardhësin, mbi hierarkinë e vlerave.

Nëse i referohemi disa rrymave të mendimit skeptik, prej dekadash po eksperimentohet formimi i një shoqërie që beson se mund t’ia dalë pa kulturë, dhe pa sistem jetësor idesh.

Pa një sistem idesh jemi tërësisht të ezauruar dhe të implikuar brenda situatave që jetojmë, duke u rrëmbyer nga çasti. Gjithë kjo shënon një kalim nga kultura tek konsumi: të jesh do të thotë të konsumosh, nuk do të thotë kultivim, transmetim, përgjithësim dhe as idealizim. Pra, konsumoj ndaj dhe ekzistoj.

Në një shoqëri ku idetë dhe vlerat nuk mbështeten më tek filozofitë e iluministëve, dekartistëve, apo humanistëve, por mbi parimet skematike të tregut dhe parasë; shumë njerëz nuk e gjejmë më veten e tyre, jo vetëm ekonomikisht, por edhe emocionalisht. Apatia dhe deprimi lindin nga mungesa e perspektivës dhe nga pamundësia për t’u arratisur nga burgu pa mure i shoqërisë globale; shoqëri në të cilën çdo diversitet është globalizim në zhvillim e sipër, periferi në pritje të uniformimit me sistemin-Botë. Mundësia e të shprehurit, e përshtatjes në situata dhe rrethana të caktuara, bëhet duke iu referuar një sistemi idesh e parimesh. Në momentin që idetë dhe parimet që kanë drejtuar brezat, e humbin vlerën dhe zbatimin e tyre, duke mos u ekuivalentuar me vlera të tjera bazike, lind rreziku i deprimimit.

Bota uniforme, fryt i teknikës dhe tregut, nuk prodhon principe të përbashkëta, nuk shuan konfliktet e brendshme dhe të jashtme, nuk krijon një kulturë dhe nuk forcon lidhjet shoqërore të një komuniteti. Historia ka treguar se pjesa më e madhe e luftërave nuk janë zhvilluar mbi bazën e ideve, besimit fetar, apo divergjencave kulturore, por mbi hegjemoninë tokësore dhe për zotërimin e burimeve energjetike, pra për para e pushtet.

Qytetërimi modern po i reziston kohës pasi disa sisteme vlerash i mbijetojnë ndryshimeve radikale të ekonomisë së tregut. Trashëgimitë, vlerat, idetë, disa sisteme të të jetuarit, sisteme kulturash, marrëdhëniet shoqërore dhe principe besimesh, të cilat nuk kalojnë nëpërmjet tregut ose teknologjisë, mund t’i mbijetojnë uniformitetin global. Kjo ndodh sepse idetë nuk janë automatikisht të konvertueshme në para apo të kthyeshme në aksione.

Joana KOSHO *

* Pedagoge gazetarie në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe lektore në Universitetin “Aleksandër Moisiu”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›