E Diel, 1 Nëntor 2026

Glover: Misioni i vëzhgueseve i paanshëm, le të flasin faktet

Drejtuesja e misionit vëzhgues të ODIHR, Audrey Glover, e ka cilësuar jo të lehtë përcaktimin sesi do të shkojë procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, duke theksuar se ka ende kohë që njerëzit ti  marrin ato për zgjedhjet. Gjatë një interviste shefja e ODIHR ka vlerësuar si herët periudhën e tanishme për të dhënë vlerësime për procesin zgjedhor përgjatë progresit të tij, por gjithashtu ajo ka cilësuar si të rëndësishme pajisjen e çdo qytetari me kartat e reja, duke u ndalur tek personat që nuk kanë pasaportë. Është e qartë që çështja e personave pa pasaportë i takon qeverisë, por gjithashtu edhe partive politike, madje edhe vetë qytetarëve, pasi prej tyre varet, nëse dëshirojnë të shkojnë dhe të marrin kartën e identitetit. Pra, përfshihen të tria palët. Duket qartë që kartat e identitetit janë të rëndësishme dhe që tani përbëjnë një çështje të kontestueshme, nënvizoi ajo duke shtuar se ODIHR-i kishte sugjeruar më parë gjetjen e mënyrave krejtësisht të besueshme për identifikimin e votuesve dhe kartat e reja të identitetit si dhe hartimi i listës elektronike të votuesve përbëjnë një bazë të mirë për zgjedhjet parlamentare, që po afrojnë. Lidhur me këtë fakt, ajo ka vlerësuar me nota pozitive ligjin e ri elektoral duke veçuar pasqyrimin e disa rekomandimeve, që ODIHR-i bëri në të kaluarën. Duke shprehur rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë, shefja e misionit të vëzhgueseve Glover nisur nga kjo ka theksuar se janë duke vëzhguar me shumë kujdes se çfarë po ndodh këtu. Më duhet të shpjegoj që ne vlerësojmë zgjedhjet përkundrejt standardeve të OSBE-së për zgjedhjet, të cilat janë shprehur shumë qartë në Dokumentin e Kopenhagës. Misioni ynë ka ardhur në Shqipëri si një mision krejtësisht i paanshëm. Përqasja jonë për të vëzhguar zgjedhjet është gjithmonë e mbështetur tek faktet, është një përqasje e paanshme, vijoi ajo. Duke shpresuar që në këto zgjedhje me ligjin e ri elektoral do të konsolidojnë arritjet në zgjedhjet e kaluara dhe këto zgjedhje do të jenë të mira, ajo ka kërkuar angazhimin e të gjithëve palëve për të bërë detyrën e tyre. Mendoj se është e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira të bëjnë atë, që duhet të bëjnë dhe ato vetë e dinë se cila është pjesa e tyre. Qeveria, partitë politike dhe vetë qytetarët, që do të votojnë.. duhet të sigurojnë që këto zgjedhje do të jenë të mira, theksoi Glover. Sipas saj, para ditës së zgjedhjeve misioni do të paraqesë edhe dy raporte të tjera paraprake. Ndërsa dy muaj më pas misioni i vëzhguesve të ODIHR do të paraqes raportin përfundimtar, që do të përmbajë gjithë informacionin dhe burimin e tij, i cili do të përmbajë edhe mesazhe lidhur me procesin e zhvilluar elektoral.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›