Glover: Pse qeveria “Berisha” ka shprehur pakënaqësi për emërimin tim në krye të ODHIR-it
Ambasadorja e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it, Odrei Glover, deklaroi se pajisja e qytetarëve me karta identiteti është përgjegjësi e qeverisë. Duke e konsideruar këtë një çështje të rëndësishme, Glover ka theksuar se ODIHR-i po e monitoron me vëmendje këtë çështje, pasi, sipas saj, çdo zgjedhës ka të drejtën e votës dhe duhet të pajiset me dokumentin e identifikimit. “Është shumë e rëndësishme që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që qytetarët me të drejtën e votës që nuk disponojnë dokumente të tjera të posaçme, të pajisen me karta identiteti para 28 qershorit. Kjo ka rëndësi të padiskutueshme. Është përgjegjësi e qeverisë, po si me të gjitha politikat, aplikimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve dhe të partive politike. Vëzhguesit tanë afatgjatë po e ndjekin me vëmendje në terren këtë proces dhe në ekipin qendror kemi një ekspert që po merret posaçërisht me çështjen e listave të votimit dhe kartave të identitetit”, - është shprehur Glover. E pyetur nëse shikon rrezik në dështimin e zgjedhjeve për shkak të mospajisjes së qytetarëve me karta deri më 28 qershor, Glover theksoi se ka ende kohë që ky proces të përmbyllet në mënyrën më të suksesshme. Glover ka folur edhe për shqetësimet e ngritura nga qeveria për emërimin e saj në krye të misionit vëzhgues të ODIHR-it, duke thënë se do të kryejë misionin e saj pa paragjykime dhe u shpreh plotësisht e vendosur për t’i vëzhguar zgjedhjet në mënyrë të paanshme dhe objektive. “Është e vërtetë që janë shprehur shqetësime për emërimin tim, për shkak të raportit të ODIHR-it, që u bë publik kur unë isha në krye të ODIHR-it në Varshavë. E kuptoj që jo të gjithëve u pëlqyen konkluzionet e paraqitura në atë raport, të cilat shprehnin konstatimet e atyre që ishin këtu në atë periudhë”, - theksoi Glover. “Shpresojmë që procesi i pajisjes me kartat e identitetit të përfundojë me sukses dhe të gjithë qytetarët me të drejtë vote të ushtrojnë kështu të drejtën e tyre për të votuar”, - u shpreh shefja e misionit të ODIHR-it.
5 Qershor 2009