Milo: “Tek e majta ka vend për të gjithë faktorët politikë të saj”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, zhvilloi dje një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Demokracisë Sociale në komunën Gostimë të rrethit të Elbasanit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Milo paraqiti alternativën e PDS-së për bujqësinë, duke deklaruar se qeverisja e ardhshme do ta nxjerrë këtë sektor nga kriza. Por Milo foli gjithashtu edhe për të majtën shqiptare, ku deklaroi se e majta ka vend për të gjithë faktorët politikë të saj. “Demokracia Sociale mendon se ka vend për të gjithë, se ka vota brenda së majtës për të gjithë faktorët politikë të së majtës, se e majta shqiptare duhet t’u dëshmojë shqiptarëve që është aktive, që është e përgatitur të bëjë qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë. E majta shqiptare nuk tërhiqet pas gër-mëreve të vogla të përditshme të politikës. E majta shqiptare do të gjejë forca, do të gjejë aftësi, do të gjejë kurajë që në momentin e duhur do të tregojë jo vetëm aftësitë e saj qeverisëse, por do të tregojë se mbi të gjitha dhe çdo interesi personal, trupor, klanor, politik ka interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, - tha Milo.
5 Qershor 2009