E Diel, 1 Nëntor 2026

Glover: Vëzhgimi i zgjedhjeve, i paanshëm dhe pa paragjykime

Ambasadorja e ODIHR-it flet për marrëdhënie të mira me autoritetet shqiptare

* * *

Audrey Glover, drejtuesja e ODIHR-it në Shqipëri, në një intervistë për radion “Deutche Welle” thotë se është akoma herët për një vlerësim mbi ecurinë e fushatës elektorale, ndërkohë që sipas saj, vëmendja është kushtuar tek pajisja me karta identiteti. “Kartat e reja të identitetit dhe hartimi i listës elektronike të votuesve përbëjnë një bazë të mirë për zgjedhjet parlamentare, që po afrojnë. Natyrisht është shumë e rëndësishme që çdo qytetar, i cili ka nevojë për një kartë identiteti, ta marrë atë. Fjala është për ata, që nuk kanë një pasaportë. Është e qartë që kjo është një çështje, e cila i takon qeverisë, por gjithashtu edhe partive politike, madje edhe vetë qytetarëve, pasi prej tyre varet, nëse dëshirojnë të shkojnë dhe të marrin kartën e identitetit”, - tha ajo lidhur me procesin e kartave. Ndërsa e pyetur se si i shihte gjasat që më 29 qershor, në raportin paraprak të misionit të saj, zgjedhjet të cilësohen "të lira dhe të ndershme", Glover nuk u nxitua të japë një vlerësim. Ajo tha se “jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë, që këto zgjedhje do të kenë për Shqipërinë. Dhe pikërisht për këtë ne jemi duke vëzhguar me shumë kujdes se çfarë po ndodh këtu. Raporti përfundimtar do të përmbajë edhe mesazhe lidhur me procesin e zhvilluar elektoral. Le të shpresojmë që në këto zgjedhje me ligjin e ri elektoral do të konsolidojnë arritjet në zgjedhjet e kaluara dhe... këto zgjedhje do të jenë të mira”. Ndërkaq ajo është pyetur dhe për përfshirjen e saj në vëzhgimin e zgjedhjeve të vitit 1996, për të bërë një vlerësim për ndryshimet e ndodhura në vend që atëherë. “Nuk kam qenë në Shqipëri në vitin 1996, kam qenë drejtore e zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR-it, me seli në Varshavë. Ajo që mund të them tani, është se ka pasur shumë ndryshime pozitive që nga 1996”, - sqaroi ajo. Ndërkaq ajo vlerësoi se ligji i ri elektoral është tepër pozitiv dhe pasqyron disa nga rekomandimet, që ODIHR-i bëri në të kaluarën. “Shpresojmë që zgjedhjet do të shkojnë mirë”, - theksoi vëzhguesja, e cila nuk është mirëpritur me krahët hapur nga krerët aktualë të shtetit, të cilët pretendojnë në një gjykim jorealist të ODIHR-it në ‘96-ën. Por ajo nuk reflektoi probleme në punën e saj, pasi tha se “kemi marrëdhënie shumë të mira pune me autoritetet e këtushme, vëzhguesit afatgjatë janë në terren dhe prodhojnë raporte për misionin tonë”. Lidhur me gjykimin final, Glover tha: “Le të lëmë faktet të flasin. Ne vijmë këtu krejtësisht të paanshëm, pa ide, paragjykime dhe gjykime të mëparshme. Në përfundim të zgjedhjeve do të hartojmë një raport të mbështetur në fakte, duke vlerësuar këto zgjedhje në bazë të plotësimit të standardeve të OSBE-së”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›