E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurt, politike



Hapja e fushatës, Topalli: Rama iu tremb edhe pikave të shiut

Edi Rama e ka ndjerë humbjen, madje atë e reflektoi qartë edhe gjatë ikjes nga pikat e shiut në momentin që po hapte fushatën elektorale. Kështu deklaroi dje kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila vijoi turin e saj "Gratë për fitore" në Shkodër, ku dhe kryeson listën e kandidateve për deputete. Mes qindra grave që kishin mbushur pallatin e sportit të këtij qyteti, ajo u shpreh e bindur për fitoren e Partisë Demokratike më 28 qershor, jo vetëm në Shkodër, por dhe në gjithë Shqipërinë. Humbja e Edi Ramës, - tha ajo, - është vulosur që më parë. "I them kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga Shkodra, se ti je çuar për të ikur, që kur ke votuar kundër rritjes së rrogave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është çuar për të ikur që kur ka votuar kundër rritjes se pensioneve, është çuar për të ikur nga momenti që proteston për gjëra që nuk ekzistojnë, është çuar për të ikur sepse ai ka bërë protesta kur Shqipëria do merrte ftesën për në NATO. Është çuar për të ikur se ai nuk ka program, ashtu siç iku dje sa i filloi pika e parë e shiut gjatë hapjes së fushatës së tij elektorale", - tha znj. Topalli.

Gjatë këtij takimi, znj. Topalli prezantoi kandidatët për deputetë në Qarkun e Shkodrës, Astrit Bushati, Arenca Trashani, Gëzim Dibra, Gjokë Uldedaj, Paulin Sterkaj, Ndue Paluca, Ramiz Çobaj, Gjovalin Çuni, Shpresa Tepelia dhe Bardhi Spahiaj.

Zgjedhjet, Topi shkarkon prokurorët që kandidojnë

Me kërkesë të Kryeprokurores Ina Rama, Presidenti Topi firmosi shkarkimin e tre prokurorëve, të cilët kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për forca të ndryshme politike. Janë emrat e Ermonela Felaj, Ulsi Manja dhe Fatmir Hoxha, që kandidojnë nën siglën e PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit. Me dekretimin e shkarkimit të tyre nga posti i prokurorit, plotësohet kështu një detyrim kushtetues për ata persona që nuk mund të kandidojnë për deputetë. Në nenin 69 të Kushtetutës përcaktohet se: “Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra: gjyqtarët, prokurorët; ushtarakët e shërbimit aktiv; punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar; përfaqësuesit diplomatikë; kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët, në vendet ku kryejnë detyrat e tyre; kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji”. Kështu, duhet të largohen nga detyrat e tyre disa të zgjedhur vendorë të PD-së, si kryetari i Komunës Klos, i Bashkisë Fushë-Arrëz, i Bashkisë Krujë apo dhe prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili kandidon në listat e PD-së. Menjëherë pas shkarkimeve të këtyre prokurorëve, do të bëhen emërime të tjera për postet që ata lënë bosh. E njëjta gjë do të ndodhë për të zgjedhurit vendorë. KQZ-ja, me të mbaruar zgjedhjet e përgjithshme, do të shpallë zgjedhje lokale për ato njësi ku kanë kandiduar këta të zgjedhur.

Ministria: PS po spekulon me kartat

Ministria e Brendshme ka ritheksuar dje gatishmërinë e saj që ecuria e procesit për pajisjen me karta identiteti të votuesve të ecë normalisht, ndërkohë që ka akuzuar PS-në se po spekulon politikisht me këtë çështje. Në një deklaratë për shtyp, kjo ministri shpreh keqardhjen për “dizinformacionin që bën Partia Socialiste, duke tentuar të spekulojë me korrektësinë e shifrave zyrtare të komunikuara nga kjo ministri”. Ndërkaq, ajo bën të qartë se i ka vënë në dispozicion dje Partisë Socialiste listën emërore të personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani, si dhe listën e personave pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar. Gjithashtu, Ministria e Brendshme bën të ditur se i ka dërguar Partisë Socialiste, Prezencës së OSBE-së dhe Misionit të ODIHR-it, analizën e saktë se nëpërmjet 476 stacioneve të aplikimit që sot punojnë 7 ditë të javës nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 21:00 të mbrëmjes, janë në dispozicion kapacitete për të aplikuar edhe më shumë se 400.000 qytetarë të tjerë. Lidhur me debatin për numrin e shtetasve pa pasaportë që mbeten akoma pa aplikuar për karta, ministria shprehet se “PS ka konfirmuar në korrespondencën e saj zyrtare, por edhe në takimet me diplomatë të huaj, se nuk pret që të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike më shumë se 500.000 qytetarë nga grupi i atyre që janë pa pasaportë”. Sipas kësaj ministrie, çdo qytetar që nuk ka një pasaportë dhe paraqitet për të aplikuar deri në datën 15 qershor, i ka të gjitha kushtet normale që të pajiset me letërnjoftimin elektronik.

PS vë alarmin: Zgjedhjet, në rrezik

Partia Socialiste vazhdon të këmbëngulë se çështja e kartave është e kontestuar dhe se zgjedhjet janë në rrezik. Partia më e madhe në opozitë pritet që sot të mbajë një qëndrim zyrtar për zgjedhjet, qëndrim që e ka paralajmëruar dje sekretari i saj, Kastriot Islami, sipas të cilit, qeveria po dështon në pajisjen me karta identiteti të votuesve pa pasaportë. Marrëveshjen e qeverisë me firmën prodhuese për të mos lejuar qytetarët që kanë një pasaportë që të aplikojnë, në mënyrë që t’u hapet rruga e kategorisë pa pasaportë, PS e quan të vonuar. “Veprim i vonuar dhe pa vlerë, dhe për më tepër demagogjik për t’i hedhur hi syve ndërkombëtarëve. Kjo është një nga arsyet përse ka dështuar procesi. PSSH ka kërkuar që kjo të ndodhë që më 12 janar 2009 kur filloi procesi i aplikimeve”, - tha Islami. Më tej ai tha se “PSSH ka kërkuar të pajisen me letërnjoftim të gjithë ata 730 mijë shtetas pa pasaportë të listës së MB dhe bile e ka kontestuar këtë listë si të zvogëluar, sepse nga informacionet e saj rezultojnë shumë votues pa pasaportë që nuk janë në këtë listë”. Ndërkaq Islami shtoi se pritet të ketë një qëndrim politik për këtë çështje. “Me qetësi e racionalisht do të artikulojë vlerësimin e qëndrimin përfundimtar, pasi të ketë analizuar të dhënat që i kërkohen MB dhe qeverisë”, - tha sekretari i PS-së, i cili shtoi se “PS mbetet e angazhuar të respektojë zhvillimin e zgjedhjeve më 28 qershor 2009”.

Rama prezanton kandidatët e PS-së në Fier

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë në qytetin e Fierit, ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të këtij qyteti. Edi Rama bashkë me ekipin e deputetëve të Fierit u kanë kërkuar votën banorëve të Fierit, për ta bërë Shqipërinë moderne, evropiane për t’i dhënë një hov zhvillimit ekonomik e social. Edi Rama është ndalur për disa çaste edhe tek fakti se do donte që në këtë prezantim të ishte dhe deputeti i ndjerë, Fatmir Xhindi, teksa ka prezantuar dhe të birin, Anduelin, si deputetin më të ri në moshë për qarkun e Fierit. “Kjo bindje dhe nevojë historike për ndryshim, më ka sjellë këtu, për t’ju thënë, se dua të bëhem Kryeministri i Shqipërisë, që loja e vjetër të mbarojë, që balta e politikës të vjetër të shterojë dhe një politikë e re, e juaja, me ju dhe për ju, të ndryshojë më në fund qeverisjen dhe jetën e vendit”, - tha ai. Rama e ka kërkuar votën për partinë dhe jo për emrat e kandidatëve, duke u thënë fierakëve: “Mos i dëgjoni dhe mos shkoni pas kandidatëve që vijnë vërdallë në qytete e fshatra rreth qytetit, duke kërkuar vota individuale. Nuk keni asnjë arsye ta harxhoni votën tuaj për një individ këtu e për një individ atje, në mënyrë që nesër të shikoni pastaj të njëjtën shfaqje të shëmtuar deputetësh që trafikohen sa majtas sa djathtas, si 18 vjet me radhë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›