Godet me shishe birre në lokal bashkëmoshatarin
18/02/2005 ELBASAN - Një grindje banale mes dy bashkëmoshatarëve do të përfundonte e përgjakur pas plagosjes së njërit prej tyre nga një goditje me shishe birre. Ngjarja është regjistruar rreth orës 22.30 të mbrëmjes së dy ditëve më parë, ku, pas skenës së regjistruar, policia ka mundur të ndalojë autorin e plagosjes, 21-vjeçarin Olsi Kosturi, lindur dhe banues në Elbasan. Ndërkohë i dëmtuari në pjesën e kokës, Elis Maloku, 21 vjeç, është transportuar në spitalin kirurgjik, ku ka marrë edhe mjekimet e para. Sipas mjekëve, 21-vjeçari është goditur me shishe dhe ka pësuar hematoma që i kanë shkaktuar edhe çarje në pjesën e kokës. Megjithëse i riu ka humbur shumë gjak, gjendja e tij, sipas mjekëve, nuk është shqetësuese. Ndërkohë polcia nuk bënë të ditur shkakun e kësaj grindjeje, ndërsa ka ndaluar autorin e plagosjes, i cili gjithashtu kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli.