Godet policët, në pranga 28-vjeçari
Godet dhe fyen uniformat blu, arrestohet një 28-vjeçar nga Gjirokastra. Ngjarja për të cilën akuzohet E.Shtëmbari ka ndodhur rreth orës 22:00 të së mërkurës, në një nga lokalet e lagjes "18 Shtatori" Gjirokastër. Ai ka kundërshtuar me dhunë, goditur dhe fyer për shkak të detyrës 3 oficerë policie, të cilët kanë ndërhyrë për të eliminuar një konflikt të shkaktuar prej tij dhe disa personave të tjerë. Në momentin e sherrit, oficerët e policisë kanë qenë shumë afër lokalit dhe kanë ndërhyrë për të shuar konfliktin, por në momentin kur do ta shoqëronin për në ambientet e Komisariatit të Policisë, 28-vjeçari i ka kundërshtuar, goditur dhe fyer efektivët e policisë. Në këto kushte, oficerët e policisë kanë bërë shoqërimin e tij forcërisht për në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, ku më pas është bërë arrestimi i tij për veprën penale "Kundërshtim i punonjësit të policisë".
En.Se.
En.Se.