Polici kërcënoi mjekun, familja kërkon falje
Ndërsa policia po heton për rastin e kërcënimit të mjekut Mark Nufi, familja e policit të paraburgimit të Kukësit, Sherif Kastrati, ka kërkuar falje publike në emër të të birit. 53-vjeçari thotë se ruan vlerësimin maksimal për mjekun e njohur dhe se i vjen keq për incidentin e ndodhur. Ai shtoi se në momentin e incidentit nuk ka qenë në Kukës dhe që lajmin e ka mësuar nga media. "Unë nuk kam ndodhur këtu kur Afrimi ka bërë sherr me mjekun për shkak të vajzës së sëmurë, por nuk pajtohem aspak me presionin që ka ushtruar biri im ndaj mjekut të nderuar Nufi, megjithatë i lutem mjekut Nufi të na e falë këtë incident", tha Sherifi. Vetë Afrimi, protagonisti i ngjarjes, tha se i vinte keq për çfarë kishte ndodhur dhe se gjithçka, siç tha, ka ndodhur në gjaknxehtësi, i nervozuar për shëndetin e motrës. "Kisha motrën me luhatje tensioni, për një moment thashë se e humba, sepse humbi ndjenjat, atëherë i kam bërtitur mjekut që të bëjë diçka", tha ai dhe shtoi edhe vetë personalisht se kishte kërkuar ta takonte mjekun për t‘i kërkuar të falur.
S.Dida
S.Dida