E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Ruli: Jemi ekonomi e vogël, efekti ndjehet më pak

 

Fabiola Çela

Kriza financiare ndërkombëtare në Shqipëri do të reflektohet më pak se në vendet e tjera.    Vendi ynë karakterizohet nga një ekonomi e vogël, por që në këtë rast është pozitive, pasi të qënit një ekonomi e vogël, je më pak i ekspozuar ndaj kësaj krize globale. Kështu është shprehur dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, gjatë forumit të dytë ekonomik greko-shqiptar.
Kriza
“Jemi koshientë që bota dhe për më tepër pjesa e zhvilluar e saj ndodhet e përfshirë në një krizë, e cila, tej të qënit krizë financiare dhe e tregjeve të kapitalit, tani po përkthehet edhe si një krizë ekonomike”, u shpreh dje kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Ruli. Madje, sipas tij, në vendet e Evropës kjo krizë po nis të duket në formën e uljes së rritjes ekonomike por në deklaratën e tij ministri garantoi shqiptarët, se kjo krizë nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në ekonominë e vendit. “Dy vendet tona janë më në anë të kësaj krize e ndjejnë më pak, por nuk janë të imunizuara. Të qënit ekonomi të vogla përbën një avantazh, duke u ekspozuar më pak në të gjitha përmasat e kësaj krize. Por ne duhet t’i shohim me realizëm kush mund të jenë impaktet e pritshme të kësaj krize ekonomike dhe si do të shfaqen dhe përthyhen në realitetet tona ekonomike, ku realiteti i marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve është një kanal lehtësimi në këtë realitet krize”, theksoi ministri. Ndërkohë gjatë fjalës së tij ministri nuk la pa përmendur edhe reformat që ka marrë qeveria demokrate për të ndihmuar biznesin. Sipas tij, këto reforma kanë ndikuar pozitivisht në shkëmbimet tregtare dhe sidomos me shtetin helen. “Afërsia gjeografike, niveli i marrëdhënieve politike, lehtësia e biznesit grek, tashmë për t’u njohur dhe përshtatur me realitetin shqiptar, prezenca e një faktori lidhës, që është emigracioni shqiptar në Greqi, janë disa nga arsyet që shpjegojnë këtë prezencë prioritare të kapitalit grek në ekonominë shqiptare”,  tha Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›