E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën opozita, Kuvendi voton katër ligjet



Largimi i opozitës nga salla e Kuvendit nuk solli bllokimin e procesit të votimit të projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës të seancës së djeshme. Maxhoranca e djathtë ka insistuar në miratimin e këtyre projektligjeve për të mos i dhënë të "drejtë" opozitës tezës së mungesës së funksionimit të institucioneve. Në rendin e ditës kanë qenë për shqyrtim katër projektligjet "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave"; ""Për Inspektimin e Ndërtimit"; "Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve, të komunizmit në Shqipëri" dhe "Për krijimin e institutit të studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri". Ligjet janë votuar në seancën e Kuvendit me 72 vota pro. Drafti për krijimin e fondit special të pronave është cilësuar si mjaft pozitiv nga ana e ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani e cilësoi si shumë të rëndësishme draftin e paraqitur për votim. "Tashmë fondet për kompensimin e pronave nuk do të jetë vetëm me një burim, nga ana e buxhetit të shtetit, por do të ketë edhe forma të tjera si nga privatizimet, legalizimet. Kjo do t'i japë garanci këtij procesi për kompensimin e ish-pronarëve", deklaroi ministri Nishani. Nisma e dytë ka qenë ajo e dhënies të së drejtës të Inspektoratit Qendror të Inspektimit të Ndërtimit për të ndërhyrë në prishjen e ndërtimeve pa leje kur konstatohet se ajo bie ndesh me planin urbanistik të miratuar. "Ne si ministri nuk kemi pasur mundësi ligjore për të ndërhyrë në prishjen e ndërtimeve pa leje. Të tilla kanë qenë rastet në qendër të Tiranës, ku ishte zënë hapësira publike nga një pallat. Të tilla raste janë në Shkodër, Lezhë dhe Korçë", theksoi ministri i Transportit, Sokol Olldashi. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode ka propozuar që gjobat dhe vendimet për tu zbatuar të mos realizohen nga ana e Zyrës së Përmbarimit, por nga ana e Inspektorateve. Ai e ka lidhur këtë çështje për shkak se zyraT e Përmbarimit e zvarrisin çështjen dhe se paratë nuk do të arkëtoheshin në kohë. Olldashi më pas e ka pranuar një propozim të tillë. Kuvendi me ligjin e miratuar vendosi që data 20 shkurt 1990, e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, të jetë dita e simbolit të përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Deputeti i PD-së, Shrefedin Shehu duke cilësuar si shumë të rëndësishme nismën ka hedhur idenë që dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politik të realizohet nga një agjenci e posaçme shtetërore, duke e lidhur me skemën që realizohet nga qeveria për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Ndërsa nisma tjetër ka të bëjë me krijimin e një Instituti të posaçëm i cili do të publikojë me fakte krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri.

Institucionet

Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 18.02.2010. Miratimi i Programit të Punës për periudhën 1 mars - 26 prill 2010. Miratimi i kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit (1 mars - 18 mars 2010). Projektligji "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave". Projektligj "Për Inspektimin e Ndërtimit". Projektligji "Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve, të komunizmit në Shqipëri". Projektligji "Për krijimin e institutit të studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri".

Interpelanca përpara votimit të ligjeve

Duke parë mungesën e deputetëve të maxhoracnës, fillimisht është ndryshuar rendi i ditës, duke bërë që interpelanca parlamentare, e cila zhvillohet në çdo fund seance të realizohej përpara votimit të projektligjeve. Drejtuesi i seancës, nënkryetari Ardian Turku ftoi deputeten e PD-së, Lajla Përnaska për të zhvilluar interpelancën me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili. Deputetët e PD-së me nisjen e interpelancës kanë lënë karriget për të ikur nga salla, por në fund janë paralajmëruar që të mos ndërmerrnin një veprim të tillë, pasi do të realizohej votimi i projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›