E Diel, 1 Nëntor 2026

“Plazhi i Gjeneralit”, katër persona në arrest shtëpie



Policia e Shtetit ka organizuar operacionin “Toka e spostuar” ku ka ndaluar katër persona dhe ka zbatuar vendimin e gjykatës së Tiranës duke i vendosur ata në masën e sigurisë arrest me shtëpi.

Aksioni i uniformave blu ka ardhur pas hetimeve të kryera nga prokuroria, ku këta persona akuzohen për veprën penale “të shpërdorimit të detyrës, e kryer në bashkëpunim” e “falsifikim të dokumenteve nga personat që kanë për detyrë lëshimin e tyre dhe mashtrimit”.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, është aplikuar vendimi i gjykatës për tre zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe për një avokat të një biznesmeni të përfshirë në këtë çështje.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, në një konferencë për shtyp tha se për këtë arsye janë ndaluar shtetasit Gjergji Hyso, 53 vjeç, me profesion avokat, Ali Aliaj, 58 vjeç, dhe punonjës i zyrës vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Petrit Kullolli, 53 vjeç, dhe punonjës i të njëjtit institucion, si dhe Fatos Gjuzi, 45 vjeç, dhe shef i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë. Prokuroria kishte disa muaj që kishte nisur hetimet në lidhje me këtë çështje, ku ka rezultuar se të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke përfituar një familje në mënyrë të paligjshme rreth 450 dynymë tokë në zonën e komunës Synej dhe konkretisht te “Plazhi i Gjeneralit” dhe “Kalaja e Turrës”.

Prokuroria mori nën hetim rreth 10 persona pas zbulimit të skandalit të “Plazhit të Gjeneralit”.

Ish-kryetari i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, hetohet pasi ka firmosur dhe miratuar procedurën, ish-punonjësit e Agjencisë së Pronave të Tiranës hetohen, për shkak se kanë pranuar dhe përpunuar aplikimin e falsifikuar, ndërsa tre topografë janë marrë në hetim pasi kanë “mashtruar” me procedurat. Ata kanë hartuar plan-vendosjen dhe dokumente të tjera, që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të prokurorisë, nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji. Sipas hetimeve të kryera, janë sekuestruar dokumente që kanë të bëjnë me dosjen e aplikimit për kthimin e pronës. Zyrtarët e Hipotekës së Tiranës dhe Zyrës së Kavajës po hetohen për shkak se pas kthimit të pronës tek personat, që me falsifikime kanë aplikuar në emër të familjes Shijaku, e kanë regjistruar tokën në emër të tyre, duke u bazuar mbi një procedurë dukshëm të paligjshme. Në fund të të gjitha procedurave të falsifikuara me Agjencinë e Kthimit të Pronave, pronarët fiktivë të tokës janë paraqitur në Hipotekë dhe zyrtarët e kësaj të fundit si në Tiranë ashtu edhe në Kavajë, kanë vendosur regjistrimin e pronës. Ditën e djeshme u vendos masa e arrestit me burg për një avokat dhe tre zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›