“Gërdeci”, ish-ministrit Mediu i komunikohet akuza
Prokuroria e Përgjithshme iu komunikoi dje akuzat ish-zyrtarëve dhe ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, të akuzuar për veprën penale “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, me pasojë vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve. Tashmë, ish-ministri dhe vartësit e tij të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, nuk janë më persona nën hetim, por me statusin e të pandehurit dhe numri i të pandehurve me akuzë shkon në 14, përfshi edhe 3 personat që ndodhen në burg. Të lajmëruar me fletëthirrje katër ditë më parë, një nga një janë paraqitur qysh në orët e para të mëngjesit fillimisht ushtarakët e lartë, pastaj dy ish-sekretarët e Përgjithshëm, Ardian Mullaj dhe Adriatik Mema, për t’ia lënë vendin ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Të parët që i janë përgjigjur thirrjes kanë qenë dy ushtarakët e lartë, Luan Hoxha dhe Shpëtim Spahiu, i pari ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe i dyti ish-komandant i Komandës së Bashkuar. Dy gjeneralët e shkarkuar nga detyra nga Presidenti i Republikës kanë ndenjur nga një orë në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe pasi janë njohur me akuzën zyrtare, ata janë larguar nga organi qendror i akuzës pa dhënë komente lidhur me akuzat e ngritura nga grupi i prokurorëve, që janë duke hetuar tragjedinë e Gërdecit. Më pas, në Prokurori është paraqitur një tjetër gjeneral, Zija Bahja, edhe ky i shkarkuar nga kreu i shtetit, i cili pasi është njohur me akuzën zyrtare, nuk ka preferuar t’i përgjigjet interesimit të medias lidhur me akuzën e prokurorëve. Por, ka pasur edhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes apo dhe ushtarakë, si Shkëlzen Madani e Dashnor Çaushaj, që nuk kanë preferuar të jenë të pranishëm për t’u njohur me akuzat zyrtare, duke ua deleguar avokatëve të tyre njohjen me to.
Komunikimi i akuzës
Rreth orës 08:45 është paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, i cili ka ndenjur më shumë se një orë brenda ambienteve të Prokurorisë së Përgjithshme, për t’u njohur me akuzën zyrtare të ngritur nga grupi që po heton tragjedinë e Gërdecit. I njoftuar me fletëthirrje katër ditë më parë për t’u paraqitur ditën e djeshme, Luan Hoxha i është përgjigjur i pari thirrjes, duke u njohur zyrtarisht i pari me akuzën “shpërdorim detyre”. Një orë pas gjeneral Hoxhës, thirrjes i është përgjigjur një tjetër gjeneral-lejtnant, ish-komandanti i Komandës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Ashtu si dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, edhe Spahiu ka ndenjur rreth një orë në zyrën e drejtuesit të hetimeve, prokurorit Sokol Stojani. Pasi është njohur me akuzën zyrtare, atë të “shpërdorimit të detyrës”, Spahiu është larguar nga organi qendror i akuzës i shoqëruar nga avokati i tij, Vladimir Meçe, duke mos preferuar të japë komente rreth komunikimit që ka pasur me prokurorët e çështjes. Pas Spahiut, radhën për t’u njohur me akuzën e ka pasur një tjetër gjeneral i shkarkuar nga Presidenti, Zija Bahja, ish-komandant i forcave mbështetëse. Në Prokurori është paraqitur edhe avokati i ish-drejtorit të Logjistikës, Dashnor Çaushi, Mark Pëllumbi, i cili ka kërkuar nga grupi hetimor të shtyhet komunikimi i akuzës për një ditë tjetër, për shkak të një takim i të paracaktuar më parë dhe pamundësisë së klientit të tij për t’u paraqitur në datën e caktuar. Nga avokati Hysni Beti është përfaqësuar edhe një tjetër zyrtar me statusin e të pandehurit, Shkëlzen Madani, edhe ky i akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Pak para orës 12:00 janë paraqitur me avokatët e tyre për t’u njohur me akuzën zyrtare edhe dy ish-sekretarët e Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Ardian Mullaj dhe Ardiatik Mema. Ndërkohë që, sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, bashkë me tre të pandehurit që gjenden në qelitë e paraburgimit, shkon në 14 numri i pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Vetëm dje u është komunikuar akuza 11 personave, ish-zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të ushtrisë.
Avokati i Mediut: Akuza për klientin tim, keqdashje e Prokurorisë
Deputeti Fatmir Mediu i është përgjigjur thirrjes zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme për t’u njohur me akuzën e ngritur për të, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Ashtu sikundër kishte konfirmuar, ish-ministri i Mbrojtjes u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme rreth orës 13:30, i shoqëruar nga dy avokatët e tij. Mediu ka ndenjur rreth 1 orë brenda ambienteve, ku nga prokurorët e çështjes u njoh me akuzën zyrtare dhe statusin e të pandehurit për këtë çështje. Më pas, ish-ministri ka dalë nga Prokuroria e Përgjithshme, duke mos preferuar të flasë direkt me median dhe duke ia lënë avokatit të tij, Ardian Visha, komunikimin lidhur me akuzën e re. Avokati mbrojtës i deputetit republikan, Ardian Visha, konfirmoi se prokurorët i kishin komunikuar Fatmir Mediut akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në vendimin, për të përcaktuar Gërdecin si vend për demontimin e municioneve. Sipas tij, nuk ka asgjë të re në dosje, nga kërkesa që prokuroria dërgoi në Kuvend për të kërkuar heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, ndërkohë që veprimin e organit qendror të akuzës e ka konsideruar malinjitet dhe keqdashës. Sipas avokatit Visha, nuk është e drejtë mënyra ligjore që ka përdorur prokuroria gjatë kësaj faze hetimi.
Deklarata
“Ajo ç’ka kam koment për të bërë lidhur me këtë veprim procedural të prokurorisë, ka të bëjë me interesat ekskluzive të klientit të mbrojtur prej meje, zotit Fatmir Mediu. Gjykoj që produkti procedural i hetimit 1-vjeçar të prokurorisë në konceptin tonë si mbrojtje është se nuk ka asgjë të re nga kërkesa paraprake e prokurorisë për heqjen e imunitetit të zotit Fatmir Mediu në Parlament. Ne themi atë që sot ishte atribuuar si “shpërdorim detyre” nga ana e Prokurorisë. Pra, përjashto citimin që tha akuza nga një fakt të treguar më parë publikisht nga Mediu, që është shmangia e forcave ushtarake nga procesi i demontimit në Gërdec. Sot, ky qëndrim i prokurorisë është i ndryshuar dhe ky është i vetmi ndryshim mes aktit të njoftimit të akuzës dhe kërkesës paraprake të bërë në Parlament për heqjen e imunitetit. Kjo kishte të bënte ekskluzivisht me interesat e klientit të mbrojtur prej meje, por do ndalesha dhe në ato interesa të tjera që prekin të tjerë njerëz veç kësaj, pikërisht kategorinë e njerëzve që sot bëhet në mënyrë të organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Pikërisht ky atribuim i organizuar kolektiv dhe i organizuar në aspektin e prezencës suaj këtu, gjithsesi juve ju falënderoj, ka të bëjë me atë ç’ka unë do e konsideroja si indicie e manjilitetit të organit të prokurorisë në këtë veprimtari procedurale ndaj klientit tim, dhe pse jo dhe të tjerëve. Gjykoj si profesionist që përveç akuzës së shpërdorimit të detyrës që është për një kategori të caktuar njerëzish, është njësoj si të ndërtosh dy objekte simbol të kryeqytetit tonë, të ndërtosh 15-katëshin e Tiranës mbi themelet që kishin”, - përfundoi avokati Ardian Visha.
Detaje
08:45-09:45 ka qenë ora kur është paraqitur për t’u njohur me akuzën gjeneral-lejtnant Luan Hoxha dhe më pas është larguar nga organi qendror i akuzës
08:45 ka qenë ora kur është paraqitur për të shtyrë komunikimin e akuzës për klientin e tij, Dashnor Çaushi, avokati i tij, Mark Pëllumbi
09:50-11:00 ka qenë ora kur në Prokurorinë e Përgjithshme është paraqitur dhe njohur me akuzën gjeneral Shpëtim Spahiu, dhe më pas është larguar
10:20-11:20 ka qenë ora kur është paraqitur për t’u njohur me akuzën gjenerali tjetër, Zija Bahja, për t’u larguar më pas pa dhënë koment
11:20 ka qenë ora kur janë paraqitur me avokatin e tyre për t’u njohur me akuzën, Ardian Mullaj dhe Ardiatik Mema
12:30 ka qenë ora kur është paraqitur për t’u njohur me akuzën ndaj klientit të tij, Shkëlzen Madani, avokati Hysni Beti
13:30 ka qenë ora kur është paraqitur për t’u njohur me akuzën ish-ministri Fatmir Mediu, i shoqëruar nga avokatët e tij