Hetim për prokurorin Plepi, dyshohet për aferë korruptive
Tre shtetas janë nën hetim, mes tyre një prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë, pasi akuzohen se përmes këtij të fundit kanë ndërmjetësuar për uljen e dënimit kundrejt të pandehurit Besnik Braka. Operacioni i policisë “Ndërmjetësimi” është bërë i mundur dje nga Drejtoria e Krimit Ekonomik, e cila ka ekzekutuar masat e sigurimit “arrest në shtëpi” për shtetasit Aleksandër Plepi, 35 vjeç, me arsim të lartë, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arben Veliko, 42 vjeç, lindur e banues në Vlorë dhe Panajot Dhiamandi, 33 vjeç, lindur e banues në Vlorë. Sipas burimeve zyrtare policore, ndalimi i tyre është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për veprat penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal. Nga hetimet disamujore është dokumentuar veprimtaria kriminale e shtetasve Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi, të cilët kanë ndërmjetësuar nëpërmjet prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Aleksandër Plepi, për të ulur dënimin e të arrestuarit Besnik Braka, i cili gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Këta shtetas i kanë ofruar prokurorit një shumë të konsiderueshme parash, përkatësisht 5 milionë lekë, me qëllim që të ndërmjetësonte në gjykatë që t’i jepej një dënim i ulët shtetasit Besnik Braka. Prokurori Plepi njihet si bashkëshort i njërës prej gjyqtareve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, gjyqtares Marsela Balili. Gjatë shpalljes së vendimit, gruaja e prokurorit dënoi me 14 vjet burg dhe 300 mijë lekë gjobë të pandehurin Besnik Braka, 4 vjet më pak nga sa kërkoi prokurori gjatë konkluzioneve përfundimtare.
Akuza
Prokurori Aleksandër Plepi është bashkëshorti i gjyqtares që gjykonte Besnik Brakën dhe të pandehurit e tjerë, të kapur me 5 kg heroinë në kryeqytet. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, prokurori kërkoi dënimin me 18 vjet burg për të pandehurin Besnik Braka, 7 vjet burg për Zamira Gjongecajn, 17 vjet burg për Zamir Ferhatin dhe 7 vjet burg për Tajar Leçinin. Në verdiktin përfundimtar, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Marsela Balili dënoi me 14 vjet burg të pandehurin Braka, 4 vjet më pak nga vitet e kërkuara nga prokurori i çështjes. Sipas akuzës, të pandehurit kanë kryer veprën penale të trafikut të armëve nga Greqia drejt Shqipërisë në vitin 2000. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Besnik Braka, në vitin 2003, bashkë me shokun e tij, Zamir Ferhatin, kanë transportuar për në Greqi 500 mijë fishekë automatiku. Kamioni që po i transportonte u zbulua në Kakavijë, ku sipër arkave të fishekëve të fshehur kishte qymyr druri. Kamioni ishte nisur nga Elbasani dhe sipas akuzës, ishte i të pandehurit Besnik Braka, i cili u arrestua bashkë me Tajar Lecinin, Zamir Ferhatin dhe Zamira Gjongecajn në Tiranë për trafikim të lëndëve narkotike. Të arrestuarve iu kapën edhe 5 kilogramë heroinë e pastër, e cila dyshohet të vinte nga Turqia dhe do të dërgohej në Itali. Ditën e arrestimit, Brakës iu konfiskua banesa e tij në Tiranë, lokali në Elbasan dhe makina e tij tip “Benz” e vitit të prodhimit 2004. Dyshohet që këto të jenë blerë nga Braka me lekët e nxjerra nga shitja e lëndëve narkotike dhe armëve. Të pandehurit akuzohen për veprën penale “trafikim të municionit” kryer në bashkëpunim, “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, duke bashkëpunuar si grup i strukturuar, “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, falsifikim të dokumenteve, si dhe “falsifikim të akteve të gjendjes civile”.
Detaj
5 milionë lekë dyshohet të ketë marrë prokurori Aleksandër Plepi, me premtimin për t’i ulur dënimin Besnik Brakës