Goditet grupi i shpërndarësve të heroinës
Tiranë Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës gjatë ditës së djeshme, pasi akuzohen për shitje të lëndëve narkotike në pika të ndryshme të kryeqytetit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkalla”, u arrit identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i tre shtetasve të cilët merreshin me shpërndarjen dhe tregtimin e lëndëve narkotike kryesisht heroinë. “Në sajë të një hetimi u arrit kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i Ledio Gunit, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Eduart Salku, 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Julian Bushati, 29 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për prishje të qetësisë publike. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në afërsi të Kinostudios u kapën në flagrancë me një sasi lëndë narkotike e dyshuar e llojit ‘heroinë’ me peshë 130 gram” – bëjnë të ditur burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 130 gram lëndë narkotike, e dyshuar e llojit “heroinë”, tre telefona celularë të markave të ndryshme si dhe një automjet tip “Benz 190”, me targa AA 249 AR.