E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet me gurë mbrojtësi i Apolonisë, Mariglen Shoshi

Dhuna në stadiume ka zbritur në qytetin e Lushnjës, në derbin myzeqar, Lushnja-Apolonia, të përfunduar me rezultatin 3-1. Mbrojtësi fierak, Mariglen Shoshi, u plagos rëndë në njërin sy, pas goditjes me gurë nga tifozeria vendasve. Episodi i rëndë ka ndodhur menjëherë pas golit të barazimit të përkohshëm 1-1 (në minutën e 30-të). Ish-lojtari i Shpresave iu drejtua tifozerisë bardhejeshile për të festuar, por, ende pa mbërritur në tribunën karshi, ai u godit, duke pësuar çarje në vetullën e syrit të majtë. Stafi mjekësor dhe barela hynë menjëherë në fushë e më pas Shoshi u transportua në spitalin e Lushnjës. Aty është bërë mjekimi i specializuar i plagës, por nga frika e ndonjë sulmi të mundshëm të tifozëve vendas, sportisti është transferuar me ambulancë drejt spitalit të Fierit. Mjeku i Apolonisë, Mërtiri, deklaroi: "Shoshi është dëmtuar në pjesën e sipërme të syrit të majtë. Ai është çarë në dy vende. Qepja dhe ndërhyrja e specializuar u realizuan me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ndërkohë që plaga është mjekuar edhe në spitalin e Fierit". Drejtuesit e Apolonisë kanë zhvilluar një mbledhje urgjente për këtë episod, ku dolën me një peticion për Federatën Shqiptare të Futbollit, të cilës i kërkohet të ndëshkojë Lushnjën. Ndërkohë, mësohet se gjatë ndeshjes, lojtarët fierakë ishin të frikësuar të zbrisnin në fushë pas ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›