E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, shpartallohet banda e fëmijëve "të fiksuar" pas kompjuterëve

Goditet nga policia rrjeti i adoleshentëve që bastisnin shkollat e qytetit të Korçës. Të paktën gjashtë adoleshentë janë vënë në pranga, pasi kishin vjedhur me thyerje disa kompjuterë të shkollave të ndryshme. Ndërsa ka marrë njoftime për vjedhje të realizuara në disa prej këtyre shkollave, policia ka nisur hetimet për veprimtarinë kriminale, ndërkohë që ka zbuluar se në fakt këto kryheshin nga nxënës që vinin nga shkollat e mesme. Policia ka bërë të ditur se të gjashtë të arrestuarit janë adoleshentë të moshave 15-16 vjeç, ndërkohë që në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur po ndiqet një 13-vjeçar me inicialet E.K. Pas arrestimit të gjashtë nxënësve, policia ka bërë të ditur se një person është ende në kërkim për vjedhjen në bashkëpunim të shkollave dhe ai është më i madhi i grupit, 17-vjeçari me inicialet T.K. Operacioni, që është zhvilluar gjatë ditës së festës së pavarësisë, ka mundur të zbulojë plot tetë adoleshentë që kryenin këto vjedhje në mënyrë të organizuar dhe të përsëritur. Burimet zyrtare të policisë kanë thënë se ata kanë rezultuar të gjithë autorë të vjedhjeve të kryera në shkollat "Sotir Gura", "Mësonjëtorja e parë shqipe" dhe "Stavri Themeli", ndërkohë që katër prej tyre janë kapur në kushtet e flagrancës, ndërsa kishin hyrë për të vjedhur në godinën e shkollës së mesme "Raqi Qirinxhi". Sipas policisë, pas një pune të gjatë hetimore është kryer edhe operacioni, ndërsa adoleshentëve u janë gjetur edhe një pjesë e kompjuterëve të vjedhur. Sipas policisë, të arrestuarit janë Th.Nikolla, 15 vjeç, A.Cikopana, 15 vjeç, M.Postoli, 16 vjeç, J.Jani, 15 vjeç, C.H., 14 vjeç dhe N.L. 15 vjeç, të gjithë nxënës të shkollave të mesme në qytet. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata hynin në shkolla gjatë natës dhe me thyerje realizonin vjedhjet, ndërkohë që policia ka mundur të dokumentojë edhe një vjedhje të kryer në banesën e një shtetasi, ku sërish këta adoleshentë kishin mundur të vidhnin një kompjuter. Ata akuzohen për vjedhje në bashkëpunim, ndërkohë që vetëm njëri po ndiqet në gjendje të lirë, ndërsa një 17-vjeçar është shpallur në kërkim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›