E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten në burg nëntë të arrestuarit për trafik droge

Gjykata e Faktit në Rrethin e Beratit ka vendosur të lërë në burg pa afat nëntë personat e arrestuar në kuadër të operacionit të policisë, me emrin e koduar "Kali i Trojës". Seancat në ngarkim të tyre kanë nisur që në orët e para të ditës së djeshme, për të vazhduar deri në orët e pasdites, kur nën masa të rrepta sigurie të arrestuarit janë çuar njëri pas tjetrit në gjykatë. Prokurori Erion Braho ka ngritur akuzat për të arrestuarit, ndërkohë që seancat gjyqësore janë drejtuar nga Eriol Roshi. Prokurori i çështjes ka kërkuar që të nëntë të arrestuarit në flagrancë, duke shitur e blerë heroinë të qëndrojnë në burg gjatë gjithë periudhës së hetimeve. Gjykatësi Roshi ka pranuar këtë kërkesë, duke vendosur masën e sigurisë "burg pa afat" për shtetasit Rael Dardha, Markel Gjika, Avenir Kuqali, Skerdian Xhufi, Dhimitër Boçe, Erion Karadaku, Ridvan Kote, Olsi Dautaj dhe Olsi Metolla. Sipas përfaqësuesit të akuzës, për nëntë të arrestuarit ka një sërë provash dhe faktesh, që vërtetojnë përfshirjen e tyre në trafikimin e drogës në bashkëpunim. Të nëntë personat u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës, në hyrje të qytetit të Beratit, ndërsa ishin duke u grindur për pazarin e një sasie drogë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›