Kapet për vjedhje makinash vëllai i Dritan Dajtit
Arrestohet për një vjedhje në Vlorë, vëllai i Dritan Dajtit, njërit prej personave më të kërkuar nga policia shqiptare. Policia e Vlorës njoftoi dje se ka mundur të arrestojë dje shtetasit Sokol Dajti, lindur dhe banues në Tiranë dhe Endit Limaj, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, pasi në bashkëpunim me shtetasit Haki Muastafaj, nga fshati Babicë e Madhe dhe Alfred Zijaj, nga Vlora, kanë vjedhur, në lagjen "29 Nëntori" të qytetit të Vlorës, një "Mercedes Benz 240", në pronësi të shtetasit Hodo Hodaj. Sipas policisë, pasi e kanë vjedhur mjetin, këta persona e kanë transportuar atë në drejtim të Tiranës, për ta shitur. Sokol Dajti, u ndalua për arsye se, gjatë një kontrolli në banesën dhe një garazhi në pronësi të tij, u gjet automjeti me targa VL 1537 C, që ishte denoncuar i vjedhur në qytetin e Vlorës. Pasi e ka shoqëruar këtë shtetas, policia ka nisur hetimet e mëtejshme për veprën penale të vjedhjes. Operacioni i policisë së Vlorës është shtrirë në qytete të ndryshme të vendit dhe ka çuar në pranga 5 persona , midis tyre dhe vëllain e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Ky i fundit, i akuzuar për vrasje, kreu një arratisje spektakolare nga ambientet e Gjykatës së Tiranës.