E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starova e Teuta shembin "mitin" e Super-Tiranës

Kjo nuk është një Super-Tiranë, ashtu siç ishte trumbetuar fort që nga fillimi i sezonit e deri para ndeshjes së djeshme. Këtë na kanë lënë të kuptojmë pas 90 minutave të djeshme në "Qemal Stafa", Sulejman Starova dhe Teuta e tij. Erdhën në këtë ndeshje për t‘u përballur si të barabartë dhe në fund dolën të fituar nga ky duel prestigji, i cili ka rikonfirmuar durrsakët si një nga skuadrat më simpatike të këtij sezoni. Me meritë të plotë, ata nënshtruan as më pak dhe as më shumë se skuadrën më të organizuar dhe më të financuar të Shqipërisë, e profilizuar në 12 javët e para të këtij edicioni, si pretendentja kryesore. Bardheblutë kanë qenë të mefshtë në pjesën e parë, ndërsa Starova kishte udhëzuar të tijtë të godasin pikën e dobët të Tiranës: futjen me vonesë në rrjedhën e ndeshjes. Dhe këtë bënë lojtarët e tij, të cilët i befasuan bardheblutë me dy gola në 45 minutat e para me të njëjtin autor, Vilën. Një pjesë e parë e fituar në të gjitha drejtimet nga skuadra e "Bobit", e cila jo vetëm sulmonte shpejt, duke krijuar edhe disa raste të tjera për shënim, por edhe ishte mjaft e kujdesshme në prapavijë. Dizavantazhi i dy golave, i zgjoi bardheblutë, të cilët u futën në rrjedhën e lojës vetëm në 45 minutat e dyta. Tirana bën shumë përpjekje, por duket se rezultati me 2 gola në dizavantazh ka bërë punë e tij, duke nervozuar kryeqytetasit. Bardhebultë krijojnë shumë, por aksionet e shumta të tyre sfumohen pikërisht në momentin final, ku pasaktësia e tyre dhe mbrojtja e pakalueshme e durrsakëve u ka mohuar golin deri në minutën e 78. Shënonte Sefa me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone. Në minutat e mbetura, presioni i Tiranës është rritur, por është vonë, pasi vërshëllima e gjyqtarit i ka dhënë fund kësaj sfide. Tirana jo vetëm që ka humbur ndeshjen me Teutën së bashku me kreun, por sot rrezikon të humbasë edhe vendin e dytë, nëse Shkumbini do të arrijë një fitore ndaj Dinamos. Për më tepër, mbi ta rëndon kriza e rezultatit, në të cilën janë zhytur prej më shumë se 5 ndeshjesh. Megjithatë, kryedonatori Refik Halili e ka konfirmuar besimin e tij te trajneri Slishkoviç: "Trajneri ka një marrëveshje me klubin, në të cilën, përveç të tjerave, është parashikuar edhe sanksioni në lidhje me atë që heq dorë nga përmbushja e kontratës. Dhe sanksioni është i rëndë. Nëse Slishkoviç e merr parasysh të paguajë për sanksion, le të largohet. Por unë mendoj se ky do të jetë trajneri i Tiranë edhe në të ardhme". Ndërsa trajneri boshnjak e ka drejtuar gishtin te skuadra, e cila, sipas tij, "në ndeshjet e fundit kujtohet të luajë vetëm në 45 minutat e dyta. Por, futbolli ka 90 minuta". Ndërsa, Starova një kampion tjetër, shijon një fitore, të cilën e konsideron si rezultat vazhdimësie, pikërisht i skuadrave kryesore të Superiores.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›