E Hënë, 2 Nëntor 2026

Goditi shefin e krimeve, gjykata e lë në burg

30/05/2005  KUÇOVË - “Burg pa afat”, vendosi gjykata për personin që goditi fizikisht shefin e krimeve në policinë e Kuçovës.

Paraditen e djeshme, gjyqtari Kostika Çobanaqi, në cilësinë e kryesuesit të seancës të radhës në Gjykatën e Faktit në Berat, mori masën e sigurisë për 27-vjeçarin Amarildo Bejo, banor i lagjes “1 Maji” me akuzën “goditje për shkak të detyrës”. Prokuroria do të vazhdojë hetimet për të gjetur shkakun pse 27-vjeçari Bejo, ushtroi dhunë ndaj shefit të antikrimit, Ermal Ziu. Sipas këtij të fundit dhe deshmitarëve të tjerë të pranishëm në vendin e ngjarjes, thuhet se Bejo në nxehje e sipër, ka sharë dhe më pas ka goditur me shkelm në bark e në trup, njeriun e shtetit, teksa ky i fundit ka dashur që gjatë një operacioni policor, ta kontrollojë atë fizikisht, si dhe mjetin e tij makinën tip benz me targa KV. 2277. B. Avokati i të akuzuarit, ka kërkuar që gjykata të marrë një masë më të lehtë, duke mohuar akuzën e ngritur për klientin, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Avokati ka shkuar më tej në arrestim, duke thenë se është klienti i tij ai që ka kërkuar të vizitohet të mjeku, pasi mbi të është ushtruar dhunë, por njerëzit e policisë nuk e kanë lejuar. Por gjykata nuk mori asgjë përsipër dhe vendosi atë që kishte kërkuar prokurori.

Ngjarja për të cilën Amarildo Bejo mori masën e arrestit burg pa afat, ka ndodhur 48 orë më parë, në orën 21.30 minuta, të mbrëmjes së premte. Grupi i policisë i kryesuar nga Ziu, ndodhej për një kontroll rutinë në afërsi të ish gjykatës, tek kthesa, që të çon për në dikaster. Në moment polici ka ndaluar edhe makinën e radhës, benzin me targa KV. 2277 B, dhe policët kanë filluar nga kontrolli fizik. Duket se drejtuesi i mjetit është fyer, pasi në makinë ka pasur edhe dy femra. Ai ka dashur të largohet pa pyetur për policët dhe shefin e krimeve që ishin para makinës. Në këtë çast, ka ndërhyrë shefi i krimeve duke e ndaluar të niset dhe i ka kërkuar të zbresë nga makina. Drejtuesi i mjetit sapo ka dalë, i është afruar shefit të krimeve dhe i qëllon me shqelma atij. Më pas, është dashur ndërhyrja e grupit të gatshëm, të cilët edhe e kanë arrestuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›