E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Berisha të bëjë bilancin e punës së ministrave në shtator

Ndryshimet në qeveri

Plaku i urtë i politikës dhe një prej themeluesve të dokumentit themeltar të shtetit, Sabri Godo, komentoi dje zhvillimet e fundit politike. Politikani Godo është i pari në sferën politike që hedh idenë e një ndryshimi të qeverisë në muajin shtator, duke sugjeruar publikisht Kryeministrin që të vlerësojë punën e ministrave. “Unë mendoj se një vit kohë ka mjaftuar për të vlerësuar punën e secilit ministër dhe ka ardhur koha të kemi një qeveri më eficiente. Duhet të përgatitemi edhe nga kjo pikëpamje për zgjedhjet vendore dhe zgjedhjet e përgjithshme”, tha Godo. Sipas tij, punën e di mirë i zoti i shtëpisë, në rastin konkret Kryeministri. “Cili ministër ka justifikuar punën e tij dhe cili ka lënë gjërat mangët. Përshtypja ime është se riformimi i pjesshëm i kabinetit do të ishte i mirë”, tha ai. Lidhur me çështjen nëse mazhoranca i ka apo jo numrat në Kuvend për ligjet e rëndësishme si ai i SHISH, plaku i urtë i politikës theksoi se “Berisha bëri shumë mirë që tha hajde të më votbesoni, që të shikoni nëse i kam apo jo votat. Kjo tregon se mazhoranca nuk ka rënë”. Politikani Godo ka komentuar edhe punën e dy sesioneve të para të legjislativit të 18-të. Sipas Godos, ky Parlament nuk gëzon prestigjin e duhur. “Kjo kryesisht bëhet nga përbërja e tyre. Një pjesë e deputetëve nuk janë të përgjegjshëm për rolin e tyre, merren me punë që nuk janë të tyre. Sherrxhinjtë e përhershëm i quaj si deputetë që duan të vënë veten në dukje përpara kryetarëve të tyre, për të thënë se janë të gatshëm, të vdesin për partinë. E gjitha kjo i bën dëm prestigjit të Parlamentit. Them se në zgjedhjet e ardhshme duhet që gjysma e tyre të eliminohen”, tha ai. Politikani Godo nuk ka lënë pa përmendur edhe rastin “Prifti”. “Ministri Prifti nuk ka mundur të sqarojë mirë llogaritë e tij. Këtë gjë duhet ta bëjë. Ne jemi prej mishi dhe gjaku, mund të përfshihet nga emocionet e çastit dhe nuk vepron aq adekuato. Ky mund të jetë një problem për Metën apo Kryeministrin. Duhet që qeveria të jetë si një saktësi e pastër”, theksoi Godo.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›