Godo: Berisha të moderojë gjuhën, i takon të durojë për të mirën e vendit
Kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane Sabri Godo, i bën thirrje kryeministrit Sali Berisha të moderojë gjuhën dhe të durojë përballë sulmeve personale, megjithëse ai vetë është bërë pre e tyre. Gjatë një interviste televizive ai tha se situata e shkaktuar nga qëndrimi i PS-së për të mos hyrë në parlament është anormale dhe përtej çdo logjike politike. “Duhet që Berisha të moderojë mënyrën e tij të të folurit si kryeministër në parlament dhe të heqë dorë nga atakët personale megjithëse atë vetë dhe familjen e tij e kanë rënduar me të vërtetë me të tepërt, por ja që i takon atij të durojë për të mirën e këtij vendi” tha Godo. Një prej hartuesve të Kushtetutës, Sabri Godo i jep të drejtë kryeministrit Berisha për zëvendësimin e deputetëve të partisë socialiste nëse ata nuk do të shkojnë në parlament për gjashtë muaj. “Përsa i përket betimit, atje nuk është vënë një afat se brenda sa kohe duhet bërë betimi sepse supozohet që në seancën e parë të hapjes së parlamentit, mbasi ke marrë mandatin duhet të shkosh në parlament dhe të bësh betimin. Këtu kemi gjëra anormale. Ai nuk ka shkuar të bëjë betimin. Për sa kohë do ti lejohet kjo? Këtu jemi tek pika e dytë që thotë se humbet mandatin në qoftë se nuk paraqitesh pa arsye për 6 muaj”, tha Godo. Sipas tij “do të quhet i djegur mandati i këtyre deputetëve dhe do të bëhet rekrutimi i klasës së dytë, i atyre që vijnë fill pas tyre dhe kushtetuta këtë presupozon. Por them se kushtetuta në shpirtin e saj, në filozofinë e saj e shkruan këtë ose e hap këtë shteg kur behet fjalë për një individ dhe nuk merret dot me mend që kjo do të shtrihej në gjysmën e parlamentit. Godo theksoi gjithashtu se partitë politike janë tashmë aq të maturuara sa për të gjetur një zgjidhje të krizës në vend pa pasur nevojë të ndërhyrjeve të tjera, qofte kjo edhe e Presidentit te Republikës.