E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Edi Rama një mason, është agresor i të gjitha partnereve të tij

 

“Duhet t’i themi gjërat siç janë, Edi Rama është një agresor i familjes së tij. Është një agresor i të gjitha partnereve që ka pasur. Unë nuk hesht për çdo rast kur ushtrohet agresion në familje”. Kështu deklaroi kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli gjatë një takimi të zhvilluar në Malësi të Madhe me anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike. Duke u ndalur te zgjedhjet, kryeparlamentarja theksoi se “nuk ka krenari më të madhe sesa, bashkë me çdo shqiptar, të jem pjesë e arritjes që Shqipëria të konsiderohet një vend që e ka fituar betejën me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Më 16 nëntor 27 vende, 27 Qeveri të Bashkimit Evropian na thanë: “Po. E kaluat shkëlqyeshëm provën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. Gjatë fjalës së saj Jozefina Topalli është përqendruar në kreun e PS. “Në cilin vend të botës, për institucionet që dalin nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të certifikuara nga e gjithë bota humbësi të thotë që janë me legjitimitet të cunguar. I them Edvin Ramës: “je mbrapsht, je krejt mbrapsht me sjelljet e tua dhe kur kërkon të nxjerrësh jashtë sistemit Partinë Socialiste. Edi Rama nuk është Partia Socialiste. Edi Rama nuk përfaqëson interesat e PS-së. Edi Rama është vetëm një klan njerëzish që përbëhet nga zotëria e tij, nga Koço Kokëdhima, nga Fidel Ylli, nga Dash Peza, nga Dulakët dhe nga të gjithë bosët e tjerë të ndërtimit, burimi i të ardhurave të të cilëve nuk janë fare  të qarta. Ata janë masonë, nuk janë Partia Socialiste”, tha Topalli. Sipas saj, “Edvin Rama s’ka menduar kurrë për qytetarët sepse s’ka menduar kurrë për familjen e tij. S’ka menduar kurrë për familjen e tij, s’ka menduar kurrë për nënën e tij, s’ka menduar kurrë për partneret e tij, s’ka menduar kurrë për gratë e tij. Si të mendojë ky agresor për qytetarët e tij? Çdo tentativë e tij do shkojë në fund të koshit. Shqiptarët në korrik të 2010-ës do lëvizin pa viza”. Duke i ftuar të gjithë të bëhen pjesë e festës së madhe të 8 dhjetorit, rënies së diktaturës komuniste, Kryetarja e Kuvendit tha: “do të festojmë më 8 dhjetor 19-vjetorin e rrëzimit të murit të Berlinit, në Shqipëri, në Tiranë. Është një përvjetor në të cilin ne e rrëzuam Kristaq Ramën, e rrëzuam Xhelil Gjonin, e rrëzuam edhe Sulejman Bushatin, ju e njihni”. “Ky katërvjeçar do jetë i jashtëzakonshëm. Në gjysmën e vitit të ardhshëm shqiptarët do lëvizin pa viza dhe së shpejti do bëjmë të mundur që të jemi qytetarë të BE-së, ashtu siç jemi qytetarë të NATO-s”, tha kryeparlamentarja.                                      r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›