E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo-Chan, konkretizojnë bashkëpunimin dypalësh

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, takoi dje drejtoreshën e përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan si edhe drejtues të lartë të OBSH-së nga vende të ndryshme të botës. Në këtë takim, u diskutua për bashkëpunimin e frytshëm mes dy palëve si edhe u bë një prezantim i shkurtër i sistemit tonë shëndetësor. Ministrja Godo falënderoi të gjithë përfaqësuesit, pasi mbështetja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për zhvillimet e shëndetësisë shqiptare tashmë përbën një histori të gjatë, e cila ka krijuar një politikë të re të hartimit të politikave shëndetësore, një mënyrë moderne dhe të kohës. Mbështetja juaj përbën një mentalitet të ri të politikëbërësve dhe jo vetëm kaq por dhe të ofruesve dhe të përfituesve të shërbimit shëndetësor deri dhe në krijimin e një terminologjie të re, u shpreh Godo duke theksuar se pikat e bashkëpunimit mes OBSH-së dhe Shqipërisë, janë mjaft të rëndësishme për zhvillimin e reformave shëndetësore. Është e tepërt të thuhet se OBSH ka qenë mbështetëse në koordinimin e partnerëve dhe donatorëve në sektorin shëndetësor. Së fundi pritet të fillojnë dhe dy projekte të mëdha një prej ndikimin e klimës në shëndet dhe një tjetër për ushqyerjen. Kam besim dhe kërkoj mbështetjen tuaj, pasi ne po punojmë fort në shumë plane për të zgjidhur problemet emergjente që shtron shëndetësia jonë. Jemi të vendosur të ecim përpara dhe kërkojmë hapur mbështetjen tuaj, pasi është një çast vendimtar në shëndetësinë tonë, tha Ministrja Godo. Kurse Drejtorja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan, konfirmoi mbështetjen e OBSH- së për shëndetësinë shqiptare. Më tej ajo theksoj se Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet përpjekjet e Shqipërisë për përmirësimin e shëndetësisë. Shqipëria nënshkruan çdo dy vjet Marrëveshjen e Bashkëpunimit me OBSH për asistencë teknike e financiare. Marrëveshja e dy viteve të fundit arrin në 1 milion e 750 mijë euro.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›