E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifrat e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti përplasin pozitën dhe opozitën në Komisionin Ad Hoc

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Ad Hoc, për monitorimin e procesit zgjedhor pozita dhe opozita kanë vijuar debatet lidhur me pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Të dyja së bashku përballë njëra tjetrës, kanë përplasur shifrat e ndryshme në interes të tyre në komisionin Ad Hoc. Në mbledhjen e dytë të Komisionit Ad Hoc pas konstituimit të tij, komisioni ka zgjedhur pikërisht inspektimin në drejtorinë e Gjendjes Civile. Pas konstatimeve të bëra, opozita ngriti alarmin për një proces në dështim, ndërkohë që maxhoranca në pushtet e quan ecurinë e shpërndarjes së kartave krejt normale. Partia Socialiste ka deklaruar se ecuria e pajisjes është shumë e ngadaltë në të gjithë vendin, dhe nga 800 mijë persona pa pasaportë kanë aplikuar vetëm 100 mijë. Ndërkaq, opozita i ka bërë sërish thirrje qeverisë për të shpërndarë kartat falas. Deputeti i PS-së, Blendi Klosi kritikoi procesin, duke deklaruar se ecuria e tij në të gjithë vendin është shumë e ngadaltë. "Opozita evidenton shkeljet  që ka procesi, duke filluar nga mosrespektimi i kontratës koncensionare, gjë që ka sjellë mosshtrirjen e tij në gjithë territorin e vendit dhe si pasojë një numër shumë të ulët të shtetasve shqiptarë të pajisur me karta, tha Klosi. Ndërsa, sipas deputetit të PD-së Tritan Shehu, shifrat e sjella nga opozita janë empirike, ndërkohë që ka theksuar se qeveria është shumë e qetë në lidhje me procesin e pajisjes me karta, proces i cili sipas Shehut do të mbyllet brenda të gjitha afateve. Shehu konstaton se sipas shifrave zyrtare rezulton se vetëm në kryeqytet, janë pajisur me karta 50 mijë shtetas që nuk disponojnë pasaportë ndërkombëtare, nga 85 mijë që rezulton të jenë gjithsej. "Çdo gjë është e përllogaritur në bazë të një grafiku. Edhe ata që nuk kanë pasaportë do të jenë të pajisur me karta para datës së zgjedhjeve. I bëjmë thirrje opozitës që të jetë bashkëpunuese me të gjithë në këtë proces dhe të heqë dorë nga disa kërkesa", u shpreh deputeti Shehu. Edhe në ditët më përpara Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me procesin e shpërndarjes së kartave të identik, duke e faktuar me shifra shumë të ulëta pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Sipas opozitës, ritmi me të cilin po shpërndahen kartat e identitetit do të lërë pa këtë dokument më shumë se 300 mijë zgjedhës që nuk disponojnë një pasaportë ndërkombëtare. Pas një llogaritje të tillë dhe pas refuzimit të qeverisë për dhënien e kartave falas, Partia Socialiste ka risjell propozime të reja që do të përshpejtonin ritmet e pajisjes së shtetasve me këtë dokument.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›