Godo: Fletët nuk duhen djegur, të ruhen
TIRANE-Presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” shprehet kundër djegies së fletëve të votimit, pasi një veprim i tillë do ta acarojë më tepër situatën politike në vend. “Kam qenë i mendimit se këto fletë duhet të ruheshin dhe të shikoheshin në të ardhmen sa ka ndonjë zgjidhje të këtij konflikti mes palëve. Nuk kam qenë për hapjen e kutive, por megjithatë ato duhet të ruheshin. Megjithatë u vumë para këtij fakti të kryer dhe jam i mendimit se kjo veçse ka për ta acaruar më tej krizën politike për shkak se djegia e fletëve të votimit bashkohet me elementë të tjerë që do ndikojnë në këtë acarim”, deklaroi Godo. Të njëjtin vlerësim ndan edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, i cili e thekson se kjo do të acarojë situatën politike në vend. Sipas tij, vendimi i KQZ-së, tashmë i njëanshëm, nuk shërben për atë që po kërkohet me ngulm nga faktori ndërkombëtar zgjidhjen e krizës. “Mendoj që është veprim i nxituar dhe i gabuar ai i ndërmarrë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vendim i gabuar, që natyrisht e acaron situatën politike në vend. Pra, politika zyrtare së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë marrë një vendim, që nuk ndihmon në zgjidhjen e krizës politike në vend, por e acaron akoma më tej atë. Vendimi dhe veprimi i më i fundit KQZ-së për djegien e fletëve të votimit shkon në kundërshtim me rezolutat dhe rekomandimet e dhëna së fundmi nga ana e institucioneve ndërkombëtarëve për zgjidhjen e ngërçit politik në vend”, - deklaroi Biberaj për “GSH”.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)