“Kicker”: “Seria e zezë e Kapllanit”
Edmond Kapllani: 10 ndeshje, asnjë gol, asnjë asist. Kjo është llogaria që ka bërë revista prestigjioze gjermane “Kicker” për sulmuesin shqiptar të Karlsruhes në Bundesligën 1 për sezonin aktual. Etja urgjente për gol e ka bërë jo pak herë nervoz autorin e 17 golave në sezonin 2005-2006, kur Karlsruhe ishte pjesë e Bundesligës 2.
“Seria e zezë e Kapllanit” ishte titulli thumbues i “Kicker”-it. Në Berlin kundër Hertës, ndeshja e fundit e fazës së parë, Kapllani ka shansin e fundit për të treguar se vlen dhe se është i aftë të zhbllokohet nga ngërçi i pashpjegueshëm. Edmond Kapllani pret golin e tij të parë sezonal, por dhe Edmund Beker kërkon fitoren e parë në transfertë, që mungon prej nëntë javësh, teksa ka pësuar pesë humbje rresht jashtë shtëpisë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është aktivizuar rregullisht javët e fundit nga minuta e parë, por edhe pse ka pasur raste shënimi, ende nuk e ka realizuar atë “dreq goli të vockël”. Në ndeshjen e fundit kundër Hertës, në atë humbje 3-1, ishte Kapllani ai që shënoi golin e vetëm për Karlsruhen. “E ndiej se po luaj më mirë, edhe sistemi me dy sulmues po më përshtatet më mirë. Ajo që po më mundon dhe më mungon është thjesht një gol”, - citohet Kapllani nga revista gjermane. Kundër Verder Bremenit Karlsruhe fitoi duke e ruajtur të paprekur portën, ndërsa Kapllanit vetëm fati ia mohoi golin.
Edhe “armiku” më i madh i Kapllanit te Karlsruhe, australiani Xhoxhua Kenedi është në një ditë të zezë, 20 ndeshje në Bundesligë pa shënuar, duke humbur edhe vendin e titullarit. Vetëm Sebastian Frejs, me pesë gola, është i sigurt në ekip, duke marrë edhe komplimentet e trajnerit. “Sebastian ka shanse, ka punuar shumë. Për këtë ai shumë shpejt do të shpërblehet sërish”.
Faza e parë është në fundin e saj dhe Kapllani nuk dëshiron ta nisë 2009-n me trastën bosh. Sulmuesi shqiptar e ëndërron një gol. Aq më tepër kur kontratës së tij i ka mbetur vetëm gjysmë viti nga skadimi. Por për Kapllanin kjo nuk përbën aspak një temë: “Unë dua të qëndroj këtu, nuk mendoj kurrë për një ndryshim të skuadrës”. E ardhmja e tij lidhet me Kalrsruhen, por ai e di mirë se të gjithë presin prej tij, qoftë edhe një gol. Në një stadium që e njeh mirë. Në Berlin.
Kapllani në shifra
Bundesliga 1
38 ndeshje, 2 gola
Bundesliga 2
70 ndeshje, 24 gola
Sezoni aktual
Bundesliga 1
10 ndeshje, 0 gola
Nurembergu, pista e mundshme
Karlsruhe jo në pak raste e ka bërë publike se është në kërkim të një sulmuesi në merkaton e janarit, duke parë dhe shterpësinë e dy sulmuesve kryesorë, shqiptarit Edmond Kapllani e australianit Xhoshua Kenedi. Emrat e përmendur janë Mario Egimann, Theofanis Gekas dhe Giovanni Federico. Klubi gjerman i Bundesligës 2, Nurembergu, është prej kohësh në gjurmët e Kapllanit, një futbollisti që e njeh mirë Bundesligën 2.
Skela në dorën e hekurt të Heidriqit
Ervin Skela duhet të jetë i kënaqur. Dy “armiqtë” e tij te Energi Kotbusi, Dimitar Rangelov dhe Stanislav Angelov, do të paguajnë secili nga 5 mijë euro gjobë. Të dy bullgarët kohët e fundit janë sjellë në mënyrën më të keqe me fantazistin e Kombëtares shqiptare, madje duke e tepruar e tejkaluar masën me Ervinin.
Menaxheri Shtefën Heidriq dha shenja të qarta se kërkon një disiplinë të hekurt dhe një imazh të denjë të klubit. Mesfushori Angelov do të mungojë të shtunën në ndeshjen e radhës dhe vetë trajneri Bojan Prasnikar duket se e ka nxjerrë jashtë loje. “Unë nuk e llogaris atë”. Për Kotbusin do të mungojë edhe Timo Rost, kështu që barra e ndeshjes do të jetë e tëra mbi Skelën. Ervini nuk ka bindur shumë në këtë sezon, por te drejtuesit e klubit është ende e “ngrohtë” ajo që bëri shqiptari sezonin e kaluar. Në ndërtimin e lojës shpresat janë të gjitha te 32-vjeçari, i cili me klasin e tij është edhe faktori thelbësor në sukseset e deritanishme sezonale të Energi Kotbusit. Në këtë fazë të parë Skela nuk ka statistika të mira personale: vetëm 1 gol dhe 1 asist. Për këtë menaxheri pret ende shumë nga mesfushori, sidomos tani që është para vendimit për ripërtëritjen e kontratës, duke e lënë skelën të “përpëlitet”: “Po presim mbarimin e fazës dhe gjatë pushimit dimëror do të nisim bisedimet”.
Poçi: “Pas janarit do të kërkojmë kreun”
Vetëm vendi i katërt në renditje pas 14 javësh për kampione në fuqi, është një objektiv që nuk i përshtatet, duke pasur parasysh edhe kontingjentin dinamovit, por edhe shpenzimet ekstreme të presidentit Besnik Sulaj. Fitorja 4-2 me Besën ishte sinjali i qartë se 17-herë kampionët e lanë pas ngërçin e fitoreve dhe golave. Dinamo vazhdon përgatitjet e saj për ndeshjen me Elbasanin. Një sfidë mjaft e fortë për blutë e për më tepër që do të luhet në transfertë. Asnjë nga skuadrat nuk është në gjendjen e saj më të mirë teksa dhe kreun e kanë jo pak larg. Në fjalën e tij mesfushori titullar i bluve shprehet optimist për një rezultat pozitiv që do ta ndihmonte Dinamon të afrohej edhe më shumë me skuadrat pretendente. “Ndeshja e ardhshme me Elbasanin do të jetë shumë e fortë, pasi është një kundërshtare që gjithnjë na ka hapur probleme si brenda, dhe jashtë fushës sonë. Fitorja me Besën e ka rritur shumë anën psikologjike të skuadrës, që ka vuajtur jo pak në ndeshjet e saj. E rëndësishme për ne është që të mos biem shumë në renditje, në mënyrë që pas merkatos së janarit të jemi të gatshëm të synojmë renditjen në krye me objektivin e vetëm që është titulli kampion. Bazën e lojtarëve e kemi, por ndonjë përforcim do të ishte shumë i domosdoshëm për ne”.
Canaj, i shqetësuar nga mungesat
Vllaznia kryesuese do të përballet të shtunën me Flamurtarin në “Loro Boriçi” dhe trajneri i shkodranëve, Agim Canaj, është i shqetësuar për mungesat që ka skuadra. Katër pikë diferencë ndaj Tiranës së vendit të dytë (24), ia kanë çimentuar edhe në përfundim të kësaj jave vendin e parë 9-herë kampionëve të Shqipërisë, por përpara “ultrasve kuqeblu” çdo rezultat tjetër, përveç fitores, nuk përjetohet mirë. Golashënuesi më i mirë i Vllaznisë, Vioresin Sinani (7 gola në 14 javë) është në dyshim (u dëmtua në ndeshjen e Kupës kundër Teutës), teksa janë të pritshme edhe mungesat e Elvin Beqirit dhe Albert Kaçit.
Flamurtari, që fitoi takimin e fazës së parë në Vlorë (1-0), falë golit të Mate Brajkoviçit (27’), do të mbështetet sërish mbi aftësitë e lojtarëve kroatë. Trajneri Edmond Liçaj, i cili nuk njeh humbje prej pesë javësh, qyshkur mori drejtimin e 1-herë kampionëve të Shqipërisë - Flamurtari fitoi në sezonin 1990-1991, pikërisht me Liçajn në bankinë - synon rezultat pozitiv në Shkodër. Mate Brajkoviç, i rikthyer pas pezullimit, do të jetë në majë të sulmit të skuadrës më të famshme shqiptare në Europë. Gjithsesi, kundër Vllaznisë, Liçaj do të luajë me “pesë kartat kroate”.
12 Dhjetor 2008