E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maks Velo: “Gafat e pafalshme që shëmtuan monumentet e Tiranës”



Petrika GROSI
Me nota tepër pesimiste për një përmirësim të mundshëm në një të ardhme të afërt dhe i pandashëm, si gjithmonë, nga sensi kritik, Maks Velo flet në intervistën e sotme, dhënë ekskluzivisht për gazetën “Albania”. Biseda zhvillohet kryesisht mbi problemet me shatërvanët dhe monumentet e dobëta të realizuara këto vite, me të cilat përditë ndeshen vendas e të huaj, kalimtarë në kryeqytetin shqiptar. Sipas Velos, janë bërë gabime të shumta, duke nisur nga konceptimi, deri te përgatitja dhe vendosja e këtyre monumenteve; aq më tepër mungon kultura qytetare për t’i mirëmbajtur dhe për të kërkuar llogari mbi këto vepra. Shqiptarët vuajnë ende nga mendësia orientale dhe nuk kanë për të ndryshuar të paktën për 50 vjet tjera. Maks Velo shpreh nostalgji për dy monumentet e Korçës, siç janë “Ushtari i panjohur” dhe “Mihal Grameno”, ndërkohë që i cilëson si veprat më të dobëta të bëra ndonjëherë “Sulejman Pashën” në qendër të Tiranës dhe “Nënë Terezën” në Rinas.

Çdo të thoshte Maks Velo në lidhje me imazhin që krijojnë monumentet dhe shatërvanët e Tiranës?
Tirana ka pak shatërvanë e monumente. Por dhe ato pak monumente që ka, nuk janë në nivelin e duhur artistik. Shatërvanë realisht nuk ka fare, me përjashtim të atij që ndodhet te “Taivani”, te parku “Rinia”, i cili mirëmbahet nga një pronar dhe është i vetmi në Tiranë që e hedh ujin përpjetë dhe që krijon një relaks e atmosferë çlodhëse, sidomos gjatë verës. Shatërvanët e tjerë, si ai te “Nënë Tereza”, pranë Akademisë dhe te Zogu i Zi nuk funksionojnë. Nuk shpresoj që këto shatërvanë do të funksionojnë për një periudhë 20-30-vjeçare. Kjo për arsyen e thjeshtë se që të vijmë te funksionimi i shatërvanëve duhet më përpara të bëjmë të funksionojnë gjërat e gurta. Shatërvani është diçka fluide, e cila kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme, përkujdesje dhe ka një impakt shumë pozitiv te njerëzit, por do një nivel të ngritur kulture. Ne nuk e kemi këtë kulturë as në ndërmarrjet e gjelbërimit dhe as në publik. Është e vështirë që shatërvanët të mbahen në funksion.

Sa u përket monumenteve (busteve), marrëdhënies së tyre me sheshet dhe vlerat që ato kanë, ç’mund të thoni?
Monumentet e kulturës për mua tregojnë nivelin e gjithë artit figurativ në një shteti. Personalisht, kur shkoj si turist në ndonjë shtet, gjëja e parë që vizitoj janë monumentet dhe veprat e artit, të cilat i fotografoj. Ato janë kulmi i mundësive të një shteti për arsye se vetë skulptura është arti më i vështirë në krahasim me grafikën, pikturën, mozaikun, sepse aplikohet në hapësirë, në volum. Në radhë të dytë vjen teknika e derdhjes, zgjedhja e vendit nga arkitektët dhe bërja e bazamenteve. Është një kompleks i tërë, që nëpërmjet bërjes dhe vendosjes së një monumenti tregon kulturën artistike dhe arkitektonike që ka një vend. Mendoj se nuk duhet të pretendojmë shumë në këtë drejtim, pasi këtë nivel kemi.

I kujt është faji në këtë rast?
Faji është i të gjithëve. Skulptorët janë pjesa jonë. Për të gjitha gjërat jemi fajtorë të gjithë. Ndër monumentet që i shoh vazhdimisht me admirim do të veçoja dy. “Ushtari i panjohur” dhe “Themistokli Gërmenji”, që janë në Korçë. Pa dyshim, hyjnë në monumentet më të mira që kemi bërë shekullin e kaluar në Shqipëri. Jo vetëm si realizime skulpturore, por edhe nga bazamenti, vendet ku janë vendosur etj., këto dy monumente janë vepra që shfaqin kulturë qytetare. Pjesa tjetër e monumenteve të bëra në ato vite ishin më tepër me angazhime politike. Pas ’90-s niveli i skulpturës ka rënë shumë, sepse Akademia nuk insiston në mësimin dhe njohjen e strukturës njerëzore. Megjithatë, sigurisht që duhet të ecim në këtë drejtim. Unë jam një nga ata të dashuruarit pas monumenteve. Në mbledhjen e Këshillit Artistik të Bashkisë së Korçës propozova që të bëhej një konkurs ndërkombëtar për skulpturën dhe kjo gjë u realizua. Erdhën skulptorë nga vende të ndryshme dhe bënë vepra moderne me material gurin, që është një karakteristikë e cila përshtatet dhe me qytetin. Një gjë e tillë, pra sjellja e skulptorëve të huaj, të cilët kanë dëshirë t’i vendosin veprat e tyre në kryeqytete europiane, mund të bëhet edhe në Tiranë, kundrejt një shpërblimi që nuk do ta rëndonte shumë bashkinë.

Cili është mendimi juaj mbi bustet e debatuara të Fan Nolit para Akademisë së Shkencave dhe atyre të Nënë Terezës te Universiteti dhe në Rinas?
Jam shprehur dhe më parë në shtyp për këtë çështje. Fan Noli para Akademisë, bërë nga skulptori Thoma Thomai, ndahet në dy pjesë; pjesa e sipërme, që është busti, dhe pjesa e poshtme, që është bazamenti. Bazamenti i poshtëm në bronz nuk është llogaritur mirë nga skulptori. Është krejtësisht një mendim i gabuar harxhimi i gjithë atij bronzi poshtë, që e konkurron portretin. E dyta, gabimi i tij fatal ishte se nuk arriti dot që portretin e paraqitur më parë në ekspozitë, i cili ishte një portret për interier dhe jo për eksterier, donte ta zmadhonte, gjë që e bëri në mënyrë artificiale. Ky është gabimi kryesor. Artisti duhej të kishte bërë një monument, ose të mos e bënte fare.

I njëjti gabim është bërë edhe për Nënë Terezën?
Jo. Nënë Tereza është figurë sa e lehtë, aq dhe e vështirë për t’u bërë. E lehtë sepse ka një strukturë të sajën, që po ta kapësh, jep mundësi, por e vështirë sepse duhet të kapësh strukturën e saj të jashtme dhe të brendshme. Ai, me sa duket, nuk e kapi. Sa për Nënë Terezën në Rinas, është vepër edhe më e keqe se këto të dyja, një katastrofë e vërtetë. Nuk mund të transformosh Nënë Terezën dhe të bësh lëshime balistike raketash. Ajo ishte një figurë tokësore, shumë e dashur, e imët, direkte. Ta lëshosh Nënë Terezën në atë mënyrë drejt qiellit, është e papranueshme. E kam thënë dhe herë tjetër, ai monument duhet të hiqet.

Pra, sipas jush, nuk mund të luhet nga arti realist kur kemi të bëjmë me figura historike dhe simbole të identitetit kombëtar?
Absolutisht nuk mund të luhet në këtë drejtim. Po jap tre shembuj që kam parë në Paris. Kam parë monumentet e Çurçillit, Sharl de Golit dhe presidentit Xheferson. Të tria janë krejtësisht realiste. Nëse do të bësh monument abstrakt, mund ta bësh, por nuk ka lidhje me figurën, me simbolin. Të tria këto vepra i kam fotografuar dhe i kam në shtëpi. Janë krejtësisht të sakta, shumë sugjestive dhe jashtëzakonisht përfaqësuese të një arti të madh. Pavarësisht rrymës, nëse vepra është e mirë, atëherë edhe arti është i madh. Dua të shtoj këtu edhe diçka mbi operacionin e fundit që u bë me “Partizanin” dhe “Sulejmanën Pashën”. Me rastin e zhvendosjes së “Partizanit” u bë dhe një restaurim i veprës, pasi bronzi ishte shumë i varfër. Kurse “Sulejman Pasha” është monumenti më i dobët që kemi në Shqipëri. I vendosur në një pikë qendrore të kryeqytetit, nuk e di si e përballon autori dhe ata që e kanë porositur këtë vepër! Të huajt nuk kanë mundësi të vijnë dhe të njohin çdo njeri në shtëpi. Ata në një orë bëjnë një xhiro rreth qytetit dhe krijojnë idenë në bazë të monumenteve se në çfarë nivelesh kulturore është ky popull.

A mund të jetë faktor ndikues në këtë imazh të keq mungesa e transparencës në konkurset që organizohen për bustet dhe monumentet?
Mungesa e transparencës është një nga cilësitë e errësirës shqiptare. Duhet të futesh në terr dhe të zgjasësh dorën e të kapësh diçka në errësirë. Kjo është e përgjithshme dhe sigurisht që ndodh edhe në fushën e artit dhe kulturës. Është mungesë qytetarie. Në momentin që shqiptari merr një post mundohet vetiu (si mendësi orientale) që ta shfrytëzojë për familjen, fisin dhe klanin e vet, pasi nuk i intereson shumë interesi publik. Por po të bëjmë një listë të të gjitha monumenteve të bëra që nga viti ’90 e deri sot, nuk janë pak dhe nuk janë bërë vetëm nga një skulptor. Dua të them se fundja ky është niveli që ka sot skulptura shqiptare.

Duket se kohët e sotme në Shqipëri kemi një rënie të ndjeshme të nivelit dhe të ndërgjegjes qytetare, apo jo?
Nuk ka pasur ndonjëherë ndërgjegje qytetare në Shqipëri përderisa ne kemi një mendësi orientale. Nuk ekziston në orient përgjegjësia qytetare, por vetëm ajo klanore, fisnore dhe familjare.

A thua shqiptarët janë të pashpresë në këtë drejtim?!
Sigurisht, të pashpresë, por pas 50 ose 100 vjetësh ndoshta do të ndryshojnë. Më parë jo.

Së fundi, sa nevojë ka metropoli shqiptar për pasurimin e shesheve me monumente të reja, që kanë lidhje me historinë kombëtare ose dhe vepra moderne?
Ka nevojë shumë për këtë gjë, sepse skulptura në hapësirë është një mësues direkt. Është forma më demokratike dhe e drejtpërdrejtë e artit që e mëson njeriun duke nisur nga koha e fëmijërisë derisa rritet. Skulptura zbukuron, jep gjallëri, tregon një nivel të lartë kulture dhe është krenari për qytetin. Shpresoj që në të ardhmen të bëhen vepra në metal, xham, dru, gur, çimento, bronz dhe në çdo teknikë të mundshme që mund ta zbukurojë kryeqytetin tonë.

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›