Godo: Palët të ulin armët
07/02/2005 Republikani Sabri Godo ka kërkuar prej Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, të ulin armët që kanë ngritur për ndarjen elektorale, dhe të fillojnë bisedimet për gjetjen e një konsensusi. Në një prononcim të tij, Godo është shprehur se PD dhe PS, duhet të gjejnë pikat ku lëshojnë pe dhe të arrijnë në një konsensus përfundimtar. Nga ana tjetër, ai ka dalë kundër debateve të fundit të ngritura mbi një zonë të minoritetit. Sipas Godos, acarimi i situatave vjen nga një grup i vjetër ekstremistësh, që nuk duhen marrë për bazë. Ndaj ai ka kërkuar prej kryetarit të Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, që të reagojë me mendje të qetë në pretendimet dhe në deklaratat që jep në lidhje me bashkëpunimin mes minoritetit dhe shqiptarëve. Gjithashtu, republikani ka theksuar se zgjedhjet parlamentare duhet të zhvillohen në muajin qershor, për ti dhënë mundësinë të gjithë shqiptarëve të votojnë duke mos i privuar as nga pushimet.