E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfet për Shtëpinë e Pushimit në Durrës, arrestohet inspektori

 

TIRANE - “Fasada gri”, prangos specialistin e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme me akuzën për mitmarrje. Shefik Gjata, 54 vjeç, banues në Durrës, u arrestua dje me akuzën se kërkoi 1 mijë euro ryshfet nga një firmë private, në këmbim të marrjes në dorëzim të punimeve të Shtëpisë së Pushimit të Policisë në Durrës. Aksioni është kryer nga oficerët e zyrës së Antikorrupsionit në Policinë e Shtetit nën drejtimin e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, në kohën kur 54-vjeçari po merrte në formë ryshfeti një sasi prej 1 mijë eurosh. Ai është kapur në flagrancë, ndërsa merrte paratë në automjetin e tij në afërsi të stadiumit “Dinamo”. Pagesa sipas policisë po dorëzohej nga një përfaqësues i firmës, që kishte kryer punimet në Shtëpinë e Pushimit në Durrës. Ryshfeti sipas burimeve të policisë ishte kërkuar nga Shefik Gjata, pas përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës. Sipas burimeve hetimore, prej disa muajsh, Shtëpia e Pushimit po i nënshtrohej një rikonstruksioni me fonde të akorduara nga Ministria e Brendshme. Në rikonstruksionin e shtëpisë së pushimit të këtij institucioni ishte parashikuar, mes të tjerash, që fasada e saj të kishte ngjyrën gri. Rreth 10 ditë më parë, firma që kishte fituar tenderin e rikonstruksionit, ka lajmëruar përfundimin e punimeve dhe ka kërkuar kryerjen e procedurave të zakonshme të kontrollit e më pas dorëzimin e punimeve. Fillimisht specialisti i prokurimeve me profesion inxhinier ndërtimi, Shefki Gjata, ka nxjerrë si pretekst mundësinë kohore për mosmarrjen e punimeve në dorëzim. Më pas ai ka komunikuar me përfaqësuesit e subjektit, duke shprehur kundërshtinë e tij, për faktin se punimet nuk ishin kryer sipas standardeve dhe se ato kishin probleme. Më tej, Shefik Gjata ka nxjerrë si pretekst edhe faktin, se fasada e ndërtesës së rikonstruktuar nuk i ishte dhënë ngjyra gri në masën e kërkuar nga kontraktuesi. Kjo sipas pretendimit të parashtruar nga i arrestuari do të thoshte penalizim për subjektin, që kishte kryer punimet dhe se punimet nuk mund të merreshin në dorëzim. Fillimisht inspektori nuk ka kërkuar para, por më tej ai ka pohuar se mjaftonin 1 mijë euro dhe kjo histori mund të quhej e mbyllur. Kaq është mjaftuar dhe përfaqësuesit e subjektit të bënin denoncim në Policinë e Shtetit, ndërsa pasditen e djeshme i akuzuari u kap në flagrancë vetëm pak çaste, pasi kishte marrë një ryshfet në shumën 1000 euro. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›