Policia merr 6-vjeçarin pa lajmëruar prindërit
TIRANE - Fakti se “i dyshuari” ishte vetëm 6 vjeç nuk i ka penguar dy efektivë policie, ta fusin atë të vetëm në makinë dhe ta “bombardojnë” me pyetje dhe akuza. Tmerri i përjetuar nga i mituri dhe shkelja flagrante e ligjeve nga uniformat blu ka vënë në alarm institucionin e Avokatit të Popullit. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, ngjarja ka ndodhur ditën e enjte në qytetin e Shijakut. Një mesazh telefonik i mbërritur në zyrën e Avokatit të Popullit ka bërë të ditur, se një fëmijë 6-vjeçar ishte shoqëruar i vetëm nga forcat e policisë. Dy ekspertë të institucionit janë nisur me urgjencë drejt qytetit nga ka ardhur denoncimi. Pas mbërritjes në Shijak, ata kanë mësuar se atë ditë në Komisariatin e policisë kishte mbërritur një kallëzim për të miturin F.K., se prej tij i ishte vjedhur një çantë me 6 mijë lekë një tregtari. Dy efektivë të këtij komisariati, G. Dama dhe T. Djaloshi kanë shkuar në banesën e të miturit, ku i kanë komunikuar babait të tij A.K., kallëzimin e kryer dhe kanë kërkuar vajtjen e tij dhe të birit në komisariat. Prindi u ka treguar gatishmërinë uniformave, por më parë duhet të priste kthimin e fëmijës në shtëpi, pasi nuk ndodhej aty. “Deri këtu gjithçka ishte e rregullt dhe e ligjshme, pohoi për ‘Panorama’ njëri prej ekspertëve të Avokatit të Popullit, por episodi problematik ka ardhur më pas”. Sipas tij, sapo kanë zbritur poshtë dy efektivët kanë ndeshur të miturin, që po kthehej në banesë. Ashtu siç ishte, i vetëm, ata e kanë futur atë në makinën e patrullës, ku për disa minuta i kanë drejtuar shprehjet: “Pse i vodhe lekët?”, “Kush të ka mësuar të vjedhësh?”. Gjithë skena me të miturin që qante dhe ulërinte nga presioni i dy “hetuesve” është parë nga dy banorë të lagjes, deklarimet e të cilëve i kanë dokumentuar përfaqësuesit e avokatit të popullit. Burime pranë këtij institucioni pohuan, se në ditët në vazhdim do të rekomandohet marrja e masave disiplinore për dy efektivët e policisë dhe se ngjarja do t’u bëhet me dijeni edhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sipas burimeve nga Avokati i Popullit veprimet e parregullta të punonjësve të policisë janë vërtetuar, se kanë ndodhur përmes verifikimit të drejtpërdrejtë në vendin e ngjarjes dhe me anë të pyetjes së dëshmitarëve, që kanë qenë të pranishëm në momentin e ndalimit të së miturit nga uniformat blu. ar.ba