Godo: QSUT në krizë, duhen ndryshime emergjente
Ministrja e Shëndetësisë, Godo, pohon se do ketë lëvizje të drejtuesve. Ja vizioni për QSUT-në
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përfshirë në një krizë të thellë ndaj dhe ndryshimet në këtë spital janë të domosdoshme. Këto ndryshime do të jenë jo vetëm sa i takon drejtuesve por edhe mënyrës së menaxhimit, pasi është i vetmi spital terciar në vendin tonë. Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila shpjegoi për gazetën “Shekulli” vizionin që do të ketë për këtë spital. Ndërsa, sa i takon pretendimit të drejtorit aktual Mati Pepa që ka mbështetjen e Kryeministrit, dhe se vetëm ai mund ta shkarkojë nga detyra, Godo u përgjigj se për këtë duhet pyetur Kryeministri dhe se nuk ka asnjë koment për të bërë.
Ndryshimet
Spitali Universitar “Nënë Tereza” është i vetmi spital terciar ndaj për të duhet një vizion i qartë, për të cilin po punojmë për ta realizuar sa më shpejt. Kështu, ministrja e re e Shëndetësisë, Anila Godo, duke vlerësuar këtë spital si më të rëndësishmin jo vetëm sa i përket ndihmës shëndetësore që u jepet pacientëve, por edhe për formimin profesional që u është bërë bluzave të bardha në këtë spital, theksoi se figura qendrore që do ta drejtojë atë do të ketë disa kritere. “Do të ketë lëvizje në QSUT, në mënyrë të padiskutueshme. Ky spital është e vetmja qendër terciare, që do të thotë se është edhe qendër studimore, që do të thotë se spitali bashkëpunon me Universitetin. Për këto arsye, kemi menduar që figura e parë e këtij spitali të jetë personalitete me gradë shkencore, mjek dhe pedagog në Universitet”,- pohon ministrja Godo. Ndërsa, sa i takon faktit se spitali kërkon një menaxher shumë të mirë që njeh ekonominë, Godo u përgjigj se kjo mund të zgjidhet fare mirë duke vendosur njërin nga nëndrejtorët të merret me administrimin e spitalit.
Kriza në spitalKur i rendisim mangësitë për medikamente, kite për të bërë analiza dhe shumë elemente tepër të domosdoshëm për spitalin më të madh në vend, ministrja Godo nuk i mohon këto mangësi por thekson se e vërteta është që spitali është në krizë. Në fakt, ministrja këtë situatë shprehet se e njeh edhe nga praktika e saj në punë, pasi vetëm para disa ditësh ishte shefe e shërbimit të Hematologjisë në Pediatri dhe e njeh shumë mirë këtë problematikë. “Është e vërtetë që spitali momentalisht është në krizë ndaj dhe ndryshimet besoj se do të jenë të shpejta, në mënyrë që pacientët të marrin shërbim shëndetësor më korrekt”,- pohon Godo.