E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pepa: Godo po bën hapa prapa në përzgjedhjen e drejtuesve

Drejtori i QSUT-së, Pepa pohon se nuk do të japë dorëheqjen. Ka kompetenca të më shkarkojë vetëm Kryeministri

Drejtimi në këto 15 muaj në krye të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë të suksesshme. Kështu u shpreh drejtori aktual i këtij spitali, Mati Pepa, i cili theksoi se nuk do të japë dorëheqjen nga posti i Drejtorit. Sipas tij, vetëm Kryeministri ka kompetenca ta shkarkojë atë nga detyra dhe askush tjetër. "Nuk kam asnjë kërkesë zyrtare për t’u larguar nga posti i Drejtorit të QSUT-së. Këtu më ka emëruar Kryeministri, ndaj, ai mund të më shkarkojë”,- thekson Pepa. Ndërkohë ai nuk i ka kursyer edhe pakënaqësitë që ka ndaj ministres së re të Shëndetësisë, Anila Godo. “Zëvendësimet që po u bën Anila Godo menaxherëve me mjekë, janë hap mbrapa në reformimin e Shëndetësisë. Spitalet kanë nevojë për administrim dhe këtë punë mund ta realizojnë vetëm menaxherët e mirëfilltë”,- thekson Pepa. Drejtori aktual nuk ka patur as mbështetjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, cili i ka kërkuar për muaj me radhë dorëheqjen, madje, Ndoka e cilësonte si ish-drejtor. Por sulmet e Ndokës, Mati Pepa, muaj më parë i cilësoi si sulme politike dhe që nuk kishin të bënin aspak me aftësitë profesionale të tij. Ndërsa për mangësitë e theksuara në medikamente dhe materiale të tjera tepër të domosdoshme për spitalin, duke e futur atë në një krizë totale, Pepa ka fajësuar gjithnjë Ministrinë e Shëndetësisë që nuk ka realizuar në kohë tenderat. I ndodhur përpara kërkesave të njëpasnjëshme për dorëheqje, Drejtori i QSUT-së, Pepa nuk i ka miratuar ato por ka vazhduar ritualin e tij si drejtues me takime dhe projekte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›