E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Tani reformat, më pas ndryshime në qeveri

Godo dhe Mediu shprehen të gatshëm për ndryshime në qeveri por pas Samitit të Bukureshtit
TIRANË- Edhe për republikanët qeveria duhet të ndryshojë, por pas samitit të Bukureshtit. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu dhe Presidenti i Asamblesë, Sabri Godo janë të mendimit sendryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar duhet të ndodhin pas muajit prill, pasi deri atëherë vëmendja duhet të fokusohet tek reformat që duhet të realizohen për të bërë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Më i drejtpërdrejtë në kërkesën për ndryshime në qeveri ka qenë Godo, i cili duke konstatuar se në qeverinë Berisha ka nevojë për përmirësime, për përshpejtim te ritmeve të punës, tha se riformatim duhet të kryhet në muajin maj. "Vendi ndodhet përpara një momenti historik, atë të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Kështu që, unë besoj se ndryshimet në qeveri duhet të ndodhin pas këtij momenti, le të themi në muajin maj", është shprehur Presidenti i Nderit të Asamblesë së PR-së. Nga ana e tij, kryerepublikani dhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka qenë paska më i tërhequr në përgjigjen e tij kur është pyetur nga mediat lidhur me ndryshimet në qeveri. Megjithatë, Mediu ka lënë të nënkuptohet se ato duhet të ndodhin vetëm pas prillit, pasi deri atëherë duhet të ketë një përqendrim tek realizimi i detyrimeve nga ana e qeverisë. "Riformatimi i kabinetit qeveritar është e drejtë e Kryeministrit, por ndërkohë ne kemi një angazhim shumë më të madh përpara që është marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, dhe deri atëherë duhet të shikojmë vetëm realizimin e detyrimeve që kemi",- tha Mediu, duke theksuar se, asnjë prej ministrave të kabinetit qeveritar nuk është i përhershëm në qeveri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›