E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo e Ndoka, kundër ligjit të PD-së për hapjen e dosjeve



Dy aleatët e koalicionit të djathtë qeverisës, Sabri Godo e Nard Ndoka, e kanë konsideruar antikushtetues variantin e PD-së për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. Presidenti i Partisë Republikane, Sabri Godo, vëren se ky draft është i dobët, nuk përmbush pritshmërinë e qytetarëve ndërkohë që mungesa e konsensusit nga ana e opozitës e vështirëson zbatimin e këtij ligji. Por edhe për demokristianët, të cilët gjithashtu kanë propozuar një draft për hapjen e dosjeve, varianti i demokratëve është antikushtetues dhe i pazbatueshëm. Godo pranon se duhet të realizohet procesi i hapjes së dosjeve, por nuk mbështet projektligjin e PD-së. Ndërsa Ndoka thekson se varianti i demokratëve është i pazbatueshëm. “Varianti është antikushtetues. Ka penalizime ndaj kundërshtarëve politikë. Tashmë janë bërë disa shtesa duke pasur parasysh personat. Këto janë fenomene të rrezikshme. Është një ligj që nëse do të miratohet me kartonët e PD-së, do të jetë antikushtetues dhe që nuk do të zbatohet asnjëherë”, - është shprehur Ndoka.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›