E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo pas provokimeve të Bollanos: Të merren masa ndaj tij

TIRANË- Pas deklaratës së kreut të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano se grekët në Shqipëri kanë përbërë 3/5 e popullsisë në jug të vendit, ka reaguar politikani Sabri Godo.
"Fantazia e Vasil Bollanos nuk po njeh kufij", theksoi Godo ndërsa renditi argumenta që kundërshtojnë pretendimet e Bollanos ,duke ju referuar të shkuarës.
Godo thekson nevojën e marrjes së masave ndaj Bollanos, që sipas tij është një zyrtar i administratës shqiptare dhe punon kundër interesave kombëtare të vendit.
"Himara që kur është krijuar historia e deri më sot ka qënë një krahinë e pastër shqiptare. Bollano kërkon tani, që jo vetëm Himarën ta shpallë tokë greke, por në një mënyrë të habitshme synon një shtrirje të pakufi. Ndoshta niset nga ajo që "Epir", me sa di unë, në greqisht do të thotë pafundësi dhe z. Bollano me fantazinë e tij tani nuk njeh më asnjë kufi" nënvizoi Godo.

Ndërkaq ndaj deklaratës së Bollanos kanë reaguar edhe punonjësit shkencorë të historisë dhe arkeologjisë në qytetin e Durrësit, për të cilin kryetari i bashkisë së Himarës deklaroi dje se "Durrësi është themeluar nga grekët në shekullin e 7 para Krishtit".

Dr. Adrian Anastasi, shef i sektorit të arkeologjisë nënujore në Institutin e Arkeologjisë, thotë, "Thëniet e Bollanos janë qesharake dhe nuk duhen marrë në konsideratë, pasi historia është një shkencë që e bëjnë studiuesit. Historiografia botërore e ka thënë prej kohësh fjalën e vet për qytetin e Durrësit, i cili banohej që prej tre mijëvjeçarësh nga ilirët taulantë".
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›